Përgatiti: Arton Hamiti
Brenda këtij viti, sistemit të drejtësisë në Kosovë, pritet t’i shtohet edhe një Gjykatë. Megjithatë, akoma nuk dihet se në cilin objekt do të vendoset Gjykata Administrative.
“Sa i përket objektit të Gjykatës, kjo çështje mbetet të vendoset në të ardhmen apo deri në miratimin e Projektligjit nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Drejtësisë.
Krahas ndryshimeve legjislative, njohës të çështjeve juridike konsiderojnë që Qeveria duhet të punojë edhe në rregullimin e infrastrukturës për funksionim sa më të mirë të gjykatave.
Juristët shpresojnë që Gjykata Administrative të mos e ketë fatin e njëjtë sikurse ajo Komerciale, e cila përballet me probleme të theksuara infrastrukturore.
Projektligji për Gjykatën Administrative u miratua nga Qeveria më 14 shkurt. Ajo do të ketë juridiksion në tërë territorin e Kosovës. Do të jetë kompetente në zgjidhjen e kontesteve nga marrëdhënia e punës, mes personit fizik dhe institucionit publik, siç përcaktohet me nenin 5 të projektligjit.






