17.2 C
Pristina
E hënë, 14 Tetor, 2024

SADRI HULAJ – SHEMBULL I PËRKUSHTIMIT DHE I ARRITJEVE NË SHËNDETËSI E SPORT

Me një jetë të dedikuar shërbimit shëndetësor dhe angazhimeve shoqërore, dr. Sadri Hulaj është një figurë e rëndësishme në komunitet dhe një model për brezat e rinj të profesionistëve të mjekësisë. Falë entuziazmit, vullnetit, mirësjelljes dhe aftësive të jashtëzakonshme komunikuese, ai gëzon respekt të jashtëzakonshëm në mesin e kolegëve, miqve dhe mbarë popullit.

Shkruan: Demir Reshiti

Në kuadër të ciklit të shkrimeve Portrete opojanësh që na bëjnë krenar, këtë herë do ta bëj prezantimin e mjekut specialist dr. Sadri Hulaj nga fshati Pllavë i komunës së Sharrit i cili jeton në Prizren dhe aktualisht punon në Prishtinë. Shkas për ta bërë këtë shkrim është ditëlindja e tij e 65-të dhe arritja e moshës së pensionit.

Me një jetë të dedikuar shërbimit shëndetësor dhe angazhimeve shoqërore, dr. Sadri Hulaj është një figurë e rëndësishme në komunitet dhe një model për brezat e rinj të profesionistëve të mjekësisë. Falë entuziazmit, vullnetit, mirësjelljes dhe aftësive të jashtëzakonshme komunikuese, ai gëzon respekt të jashtëzakonshëm në mesin e kolegëve, miqve dhe mbarë popullit.

Përveç karrierës së tij mjekësore, dr. Sadriu është aktiv edhe në sport, veçanërisht në pingpong. Ai ka fituar medalje në garat kombëtare e ndërkombëtare dhe është shpallur sportist i vitit për pingpongun veteran në Kosovë. Ai ishte gjithashtu kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Pingpongut të Kosovës nga 2008 deri në 2012.

Në të gjithë këto fusha, autoriteti i doktor Sadriut është fituar vetëm me punë dhe ndershmëri, gjë që konfirmohet edhe me rezultatet e arritura gjithandej ku është angazhuar. Puna e tij e frytshme në mjekësinë urgjente-emergjente ishte, është dhe do të jetë shembull dhe inspirim për brezat e ardhshëm.

Dr. Sadri Hulaj është i lindur më 20 korrik 1959 në fshatin Pllavë të komunës së Sharrit. Është djali i vetëm i prindërve Sinan Hulaj (1923-2011) dhe Habibe Ahmeti -Hulaj (1926- 2022) të cilët kishin edhe dy vajza.

Shkollën fillore e ka kryer në Pllavë dhe në Llopushnik (1966 – 1974), të mesmen (gjimnazin) në Sharr (1974-1978). Fakultetin e Mjekësisë e ka kryer në Universitetin e Beogradit (1978 – 1986) dhe ka marrë titullin Doktor i Mjekësisë.

Në vitet 1995 – 2000 ka kryer specializimin nga Mjekësia Emergjente të cilin e ka filluar në Beograd (1995) dhe e ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës (24 nëntor 2000). Në fakultetin e mjekësisë të Universitetit të Prishtinës ka vazhduar edhe studimet postdiplomike në drejtimin e kardiologjisë (2002 -2004) dhe i ka përfunduar me sukses të gjitha provimet (por për fat të keq nuk i është mundësuar mbrojtja e temës së diplomës).

Krahas gjuhës amtare shqipe, dr. Sadriu e flet rrjedhshëm edhe gjuhën serbe, kroate, angleze dhe frënge, duke reflektuar një arsim të gjerë dhe një angazhim për të komunikuar me një audiencë të gjerë.

Dr. Sadriu është martuar në vitin 1980 me Drita Krasniqin nga fshati Brezne me të cilën kanë lindur gjashtë fëmijë: Dhuratën, studente e Farmacisë në Gjermani dhe njëkohësisht është e punësuar si punëtore administrative në një spital në Gjermani (Menaxhere e Zyrës së Kompanisë); Veroren, specialiste e gjinekologjisë, punon në Spitalin e përgjithshëm në Prizren; Albulenën -Kreatore e modës, e cila për disa vite ka punuar si profesoreshë në ShMT në Prizren ndërsa tani punon në Gjermani; Edonen -specialiste e neurologjisë, aktualisht punon si kryemjeke në një spital të Gjermanisë; Premtonin, absolvent në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, pak para diplomimit; dhe Ardianin i cili punon si mjek në QKMF në Malishevë.
Gjashtë nipër e katër mbesa janë dhurata më e çmuar që ua kanë bërë prindërve të tyre Sadriut e Dritës këta fëmijë shembullorë, të gjithë me karriera të suksesshme në mjekësi dhe fushat e tjera.

Menjëherë pas diplomimit, me ndjenja e emocione të veçanta por me vullnet, edukatë, disiplinë, dëgjueshmëri e mirësjellje me kolegët, e fillon stazhin e mjekut praktikant fillimisht në Repartin e Kirurgjisë në spitalin e Prizrenit. Në këtë repart atëbotë punonte pionieri i kirurgjisë prizrenase, opojani Hidajet Lutfiu i cili jo vetëm ndaj dr. Sadriut por ndaj të gjithë mjekëve të rinj që e kryenin stazhin në këtë repart, tregonte respekt dhe përkujdesje të jashtëzakonshme, duke i afruar, këshilluar por edhe duke ju krijuar mundësi që të asistonin në ndërhyrjet kirurgjike.  Për fat të keq ky angazhim zgjati vetëm një muaj dhe u ndërpre sepse dr. Sadriut i vjen ftesa për të shkuar në shërbimin e detyruar ushtarak. Pas një viti, pasi e kryen shërbimin ushtarak vazhdon stazhin e praktikantit nëpër reparte tjera të spitalit të Prizrenit.

Punën e rregullt si mjek e fillon në vitin 1988 në ambulancat e fshatrave Gjonaj dhe Zym të Hasit ku punon deri në vitin 1990 kur e nis punën në Shërbimin e Urgjencës në Prizren. Gjatë kësaj periudhe angazhohet si profesor i lëndëve Anatomi, Farmakologji, Higjienë, Mjekësi Interne dhe Neuropsikiatri në Shkollën e mesme të mjekësisë “Luciano Matroni” në Prizren. Në vitet 1994 – 1996 dr. Sadriu jep kontributin e tij paralelisht edhe në Ambulancën humanitare të Sh.B.H. “Nena Terezë” në Zhur.
Në vitet 2002 – 2003 punon si Specialist i Mjekësisë Urgjente në Shërbimin e Urgjencës në Prishtinë prej nga kthehet dhe punon për afro 20 vite në Repartin e Emergjencës të Spitalit regjional – “Prim. dr. Daut Mustafa” në Prizren, nga të cilat 15 vite në pozitën e përgjegjësit të Emergjencës.
Në vitin 2022 rikthehet në Prishtinë për të punuar në repartin e Emergjencës të Spitalit privat “United Hospital” ku edhe punon aktualisht.

Dr. Sadriu ka kontribuuar aktivisht në fushën e mjekësisë emergjente, duke marrë pjesë në projekte kombëtare e ndërkombëtare ku është angazhuar në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional me Kryqin e Kuq të Spanjës në projektin “Ndihma e parë mjekësore” si dhe ka kryer vizita studiuese në vende të ndryshme si Suedi, Francë, Greqi etj. Ka marrë pjesë gjithashtu edhe në shumë kongrese dhe konferenca, duke prezantuar tema të rëndësishme mbi zhvillimin e sistemit të emergjencës në Kosovë dhe trajtimin e rasteve të ndryshme. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në Kongreset kombëtare e ndërkombëtare të Mjekësisë emergjente si në Zagreb, Tiranë, Prishtinë, Prizren, Pejë etj. Në të gjitha këto kongrese e seminare ka pasur prezantime të punimeve me tematikë nga puna e përditshme në emergjencë, punime këto që janë mirëpritur nga pjesëmarrësit. Shumicën e këtyre prezantimeve e punimeve shkencore i ka publikuar nëpër revista të ndryshme shkencore, kombëtare e ndërkombëtare!

Përveç karrierës së tij mjekësore, Dr. Sadriu është aktiv edhe në sport, veçanërisht në pingpong. Ai ka fituar medalje në garat kombëtare e ndërkombëtare dhe është shpallur sportist i vitit për pingpongun veteran nga Kuvendi Komunal i Prizrenit.
Me sportin e pingpongut është mishëruar që në moshën rinore ndërsa karrierën e tij si lojtar aktiv në këtë sport e ka nisur në Klubin e pingpongut të Prizrenit. Medaljet e para në pingpong ia ka sjellë Kosovës nga garat e mbajtura në Sardenje të Italisë, në qytetin Bosa (viti 2012), pastaj nga turneu ndërkombëtar në dyshe që është zhvilluar në Otoçec të Sllovenisë në vitin 2022. Ka qenë pjesëmarrës i suksesshëm në turne të ndryshme ndërkombëtare të pingpongut që janë mbajtur në Turqi, Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoni etj. Prej nga i ka sjellë vendit medalje të arta, të argjendta e të bronzta.
Në qershor të këtij viti (2024) dr. Sadriu ka fituar kupën dhe medaljen e argjendtë në turneun ndërkombëtar “Prishtina Open” (grupi i veteranëve nga 65-70 vjet).

Për të pasur një pasqyrë më të qartë lidhur me personalitetin e doktor Sadriut ia kam parashtruar atij disa pyetje të cilave u është përgjigjur me shumë dashamirësi.

Pse u përcaktuat ta studioni mjekësinë?

Përzgjedhja e profesionit ishte më shumë personale se e imponuar. Qysh si nxënës i gjimnazit më kanë tërhequr veçmas lëndët shkencore. Krahas detyrave mësimore që merrnim nga profesorët, gjithmonë kam bërë lexime shtesë. Mësoja, merrja shënime e vizatoja skica sidomos nga lëndët shkencore. Ato fletore me shënime e vizatime i kam ruajtur me fanatizëm dhe i posedoj edhe sot, madje habitem me vetveten se si i kam bërë!
Problemet shëndetësore me të cilat është ballafaquar nëna ime tashmë e ndjerë, më kanë shtyrë që të lexoj literaturë mjekësore. Në këtë drejtim më kanë ndihmuar shumë edhe dajallarët nga të cilët njëri ishte mjek popullor (Mustafa), tjetri infermier (Abdiu), që të dy tashmë të ndjerë.
Nëna Habibe vuante nga reumatizmi dhe shpesh kishte nevojë për trajtim mjekësor. Përkujdesja që bënin dajallarët për të ma zgjonte kureshtjen dhe më nxiste që të mësoj edhe unë se si ta ndihmoj nënën… Pikërisht këtu e ka zanafillën orientimi im që të studioj mjekësinë.

Pse zgjodhët të studionit në Beograd dhe si ju priten atje?

Në vitin kur përfundova gjimnazin dhe erdhi koha për të studiuar, babait tim që punonte në Beograd, ndërmarrja ku punonte i ndau banesë të re. Për të përfituar këtë banesë, babai ishte i detyruar që ta merrte familjen me vete dhe së bashku me nënën shkuam atje. Kjo shpërngulje ma ndryshoi planin që kisha për të studiuar në Prishtinë. U regjistrova në fakultetin e mjekësisë në Universitetin e Beogradit, pa provim pranues. Fillimi i studimeve në një qytet dhe gjuhë të huaj ishte për mua sfidë e vështirë sepse nuk e njihja gjuhën por edhe nuk kisha një bazë të mirëfilltë të parapërgatitjes për studime. Kishim vështirësi për t’u adaptuar nga se shkuarja nga një vendbanim i vogël në një tjetër shumë më të madh përbënte një sfidë në vete. Kjo bëri që të angazhohesha dyfish më tepër se koleget e mi studentë për të pasur një start të mbarë në studime.

Puna e madhe dhe përkushtimi më ndihmuan që të stabilizohem dhe t’i kryej me sukses të gjitha provimet e vitit parë. Vështirësitë veç se mu shtuan pasi që pas përfundimit të vitit të parë të fakultetit u martova dhe na linden fëmijët njëri pas tjetrit. Megjithatë vazhdova studimet me vështirësi shtesë por pa ndërprerje. Në vitin 1985 e ndërruam banesën dhe u ktheva vet i gjashti në Prizren, në banesën e re. Në mungesë të banesës, u detyrova që në vitin e fundit të studimeve të banoj në konvikt, dhe në vitin 1986 diplomova.

Sa kohë ju nevojit që ta mësoni gjuhën serbe?

Kur kam filluar studimet nuk dija pothuajse asnjë fjalë në gjuhën serbe. Mirëpo duke lexuar, shënuar, vizatuar e komunikuar me shoqëri, kolegë studentë e qytetarë, arrita që për një kohë të shkurtër ta përvetësoja aq mirë gjuhën serbe sa që profesorët më merrnin si shembull gjatë ligjëratave e bisedave në amfiteatrot e fakultetit.

A e kujtoni ndonjë moment interesant gjatë studimeve?

Kam pasur situata të pakëndshme por edhe të tjera të këndshme gjatë studimeve. Kishte raste kur kolegët me përqeshnin për shkak të “belbëzimeve” gjatë prezantimit të seminareve. Gjithsesi kishte edhe momente të mira. Më kujtohet një rast kur pas prezantimit të një seminari, profesori më lavdëroi publikisht për citatet që kisha përdorur gjë që shkaktoi neveri te kolegët e grupit. E mbaj mend edhe një rast tjetër kur profesori na pyeti në çfarë ju aludon zhurma në zemrën e një pacienti. Unë thash se po më aludon në zhurmën e goditjes së topit të pingpongut në tavolinë. Në fillim profesor më qortoi për këtë përgjigje duke thënë po flet budallaqe. Derisa studentet tjerë pas ekzaminimit nuk e përsëritën atë që e konfirmova unë, profesori tha para studentëve se i vetmi që kishte dhënë përgjigje të saktë ishte Sadriu nga se ajo lloj zhurme dëgjohet te pacientet me valvulë artificiale… Pastaj një rast tjetër kur profesori në provim me kritikoi për mënyrën e ndarjes së frakturave e unë këmbëngula se njëri nga anëtarët e komisionit gjatë ligjëratave e kishte shpjeguar në këtë formë. Falë këmbënguljes sime anëtarët e komisionit e vlerësuan të drejtë përgjigjen dhe kalova provimin.

E di që keni pasur lidhje emocionale me dajën tuaj. Madje e keni bërë publike një pjesë të letërkëmbimit me të, ku ju shkruan edhe në vargje. Ku e ka gjenezën kjo lidhje? 

I kam pasur katër dajallarë (vëllezër të nenës). Daja Mustafë ishte mjek popullor dhe punëtor i suksesshëm shumëvjeçar në Postën e Kosovës, daja Abdi punëtor administrativ në Kuvendin komunal dhe infermier, daja Enver, punëtor në Beograd dhe daja Muharrem (nuk e kam arritur ta njoh për së gjalli) por djemtë e dajës po, dhe ende kemi takime me ata qe janë në jetë… Me dajën Abdi por edhe me dajën Mustafë kam pasur shumë takime, shumë dashuri për ata por edhe ata për ne. Na kanë vizituar për çdo ngjarje si në Pllavë ashtu edhe në Beograd gjatë studimeve. Vizitat nuk i kanë ndaluar as kur jemi shpërngulur në Prizren. Kanë ardhur rregullisht në dasma e ahengje, në datëlindjet e fëmijëve etj., dhe kemi pasur një përkrahje të madhe madje edhe nga pasardhësit e tyre… Nëna ka qenë shumë e dashur për ata dhe gati për çdo sebep i kemi vizituar dhe anasjelltas. Lidhja emocionale ka qenë dhe ende mbetet e fortë dhe e paharruar. Vjershat e dajës Abdi ende i ruaj dhe me emocionojnë shumë kur i lexoj vetë dhe ua lexoj edhe të tjerëve. Ato vargje përcjellin mesazhe diturie, mesazhe durimi e pune për ta bërë të dobishme të tashmen dhe të ardhmen. Gjithashtu kam kujtime të pa harruara edhe me dajën Mustafë i cili ishte një burrë stabil, i vendosur, i durueshëm dhe shumë punëtor por ishte edhe kritik i rreptë në raste kur vërente ndonjë padrejtësi. I kam të freskëta shumë kujtime gjatë takimeve me të derisa i vijoja mësimet në gjimnaz.  Shpesh i vizitoja dajallarët në vendet e punës dhe gjithmonë me ndihmonin e më jepnin këshilla… Zoti i mëshiroftë shpirtrat e tyre të bardhë.

A ju kujtohet momenti kur keni filluar punë për herë të parë dhe si jeni ndier?

Studimet në fakultetin e Mjekësisë në Beograd i përfundova më datë 31 tetor 1986. Vetëm një javë më pas, i gëzuar, i mbushur me energji por edhe me plane për të ardhmen, fillova punën në spitalin e Prizrenit. Fillova stazhin e mjekut praktikant dhe me ndjenja e emocione të veçanta por me vullnet, edukatë, disiplinë e dëgjueshmëri të veçantë dhe mirësjellje me kolektivin punues fillimisht të Repartit Kirurgjisë… Më kujtohet përkujdesja e madhe ndaj meje e dr. Hidajet Llutfiut dhe e mjekëve tjerë. Doktor Hidajeti jo vetëm ndaj meje por ndaj të gjithë mjekëve të rinj që e kryenin stazhin në këtë repart, tregonte respekt dhe përkujdesje të jashtëzakonshme, duke na afruar, këshilluar por edhe duke na krijuar mundësi që të asistonin në ndërhyrjet kirurgjike. Për fat të keq ky angazhim zgjati vetëm një muaj dhe u ndërpre sepse më erdhi ftesa për të shkuar në shërbimin e detyruar ushtarak.
Në shërbimin ushtarak ndonëse shkova si mjek i diplomuar, më angazhuan në shërbimin e lidhjes si teleprinterist! Më kujtohet një moment kur një ushtar me grada na e shpjegonte si duhet të jepet ndihma e parë, derisa ushtarët tjerë e dëgjonin me vëmendje, unë ndërhyra dhe i thash që kjo që po shpjegoni është gabim. Ushtarit që shpjegonte i erdhi siklet dhe këmbënguli në të tijën por ndërhyri komandanti duke më dhënë mua të drejtë dhe nga ai moment më caktoi mua që t’i mbaja ligjëratat… Pas një viti, pasi e kreva shërbimin ushtarak vazhdova stazhin e praktikantit nëpër reparte tjera të spitalit të Prizrenit.

Pse u përcaktuat për specializim në mjekësi urgjente- emergjente?

U përcaktova për mjekësi Urgjente- Emergjente nga se kisha punuar në urgjencë 5 vite dhe gjithsejtë 9 vite kisha pritur të marr specializimin por nuk më ofruan diçka tjetër deri atëherë. Duke qenë prind i 6 fëmijëve shkollor nuk isha në pozitë që të pres për të zgjedhur ndonjë drejtim tjetër për specializim dhe u detyrova të pranoj atë që më ishte ofruar. Specializimin e nisa fillimisht në Repartin e Internos, të Kirurgjisë, Anesteziologjisë, Pediatrisë, Gjinekologjisë, etj. Më pas dy semestra stazh na është dashur t’i vazhdojmë në klinikë dhe fakultet ku ishim të regjistruar… Së bashku me mbi 30 kolegë (mjekë) shkuam në klinikat e Beogradit dhe përcillnim ligjëratat, ushtrimet dhe seminaret. Nga lëmi i Emergjencës ishim 4 veta nga trojet shqiptare. Më kujtohet se gjatë ligjëratave në pyetnin për cilat vende po specializonim!… Kishte ligjërata të mira por hetohej atmosfera e pa këndshme. Por pas 6 muajsh u detyruam të ktheheshim në Kosovë sepse ishte gjendje lufte dhe nuk arritëm ta përfundonim specializimin… Pas përfundimit të luftës, programin e specializimit e kemi ndjekur për një vit në klinikat e QKUK-së, sidomos në Emergjencë, Neurokirurgji, Njësinë Koronare etj.

 

Na flitni diçka për kontributin juaj në themelimin dhe udhëheqjen e repartit të emergjencës.

Kur e mora specializimin ende punoja në Shërbimin e Urgjencës në Prizren. Shërbimin e udhëhiqte një mjek i sjellë nga një vend i Serbisë, pastaj vazhdova stazhin në spitalin e Prizrenit ku që në fillim pata një ndërhyrje të suksesshme e cila u reflektua te kolegët, pacientët por edhe te familjarët e pacientëve. Më pas mbajta shumë kujdestari në Repartin e Internos madje i zëvendësoja edhe ata kolegë që nuk kishin mundësi ose nuk dëshironin të mbanin kujdestari, kështu që  fitova përvojë të madhe spitalore. Më duhet të theksoj se gjatë punës në këtë repart kisha përkujdesje dhe përkrahje nga dr. Bujar Demiri e dr. Baki Hajdari. Pas 8 muajsh vazhdova në Repartin e Kirurgjisë ku gjithashtu punoja çdo punë që bënin specializantet e kësaj fushe por ende mbaja kujdestari në Interno… Angazhohesha edhe në operacione si asistent i kirurgëve dhe kjo më ndihmoi shumë që të fitoja përvojë…
Në vitin 2000 mora thirrjen Specialist i Mjekësisë Emergjente dhe fillova të punojë në ambulancën e Urgjencës të qytetit të Prizrenit. Tre muaj më pas më angazhojnë në një projekt bashkëpunimi me Kryqin e Kuq spanjoll të cilin e drejtonte dr. Mar Ripoll. Gjatë tetë muajve sa zgjati ky projekt, realizuam trajnimin e të gjithë stafit shëndetësor në rajonin e Prizrenit (mjekë, infermierë, vozitës e zjarrfikës. Gjatë kësaj periudhe realizova dy vizita studimore…

A mund ta ndani me lexuesin ndonjë moment interesant gjatë punës suaj në shërbimet urgjente-emergjente?

Nga 38 vite punë në shërbimet urgjente e emergjente (1986 – 2024) si dhe shumë vizita shtëpiake, pastaj dy vizita në vendet e shenjta Mekë e Medine si mjek i hanxhijëve, kam pasur shumë raste që jo sot por kurrë nuk mund t’i harroj. Po i përmendi disa raste të cilat më kanë ngelur të freskëta në kujtesën time dhe sa herë i kujtoj më shkaktojnë emocione të veçanta e më japin vullnet për punë.

 

  • Një ditë në orët e para të mëngjesit na vjen një pacient me gjendje të rënduar shëndetësore. Me ekipin e urgjencës, internistin dhe infermierin kujdestar filluam ta reanimonim duke i bërë goditje me elektro shok. Sa arrihej përmirësimi klinik, pacienti përsëri hynte në arrest dhe na duhej ta përdornim sërish elektro shokun. Nga dhimbja që i shkaktonin goditjet në kraharor pacienti bërtiste duke na sharë e ofenduar. Deshi zoti që t’ia rikthenim ritmin, të mbijetojë dhe të përmirësohet. Pas disa ditësh kur erdhi në vizitë kontrolluese na u falënderua, kërkoi falje dhe u bëmë miq të mirë…

 

  • Një rast tjetër që gjithashtu nuk e harroj kurrë ishte shoqërimi i një pacienti (fëmijë tetë ditësh) gjatë transferimit për shërim të mëtejshëm në Stamboll. Ftesën për ta shoqëruar këtë pacient ma bënë nga QKUK përkatësisht nga Klinika e Neonatologjisë. Pasi komunikova me kolegët pediatër-neonatolog, i regjistrova parametrat vital, terapinë, i mora këshillat e nevojshme dhe me autoambulancë u nisëm për Stamboll. Së bashku me mua e pacientin ishte vozitësi dhe infermieri. Kaluam një kufi ndërsa në kufirin tjetër në mes të Bullgarisë e Turqisë na ndalen më gjatë dhe gjendja e pacientit u rendua. I ra saturimi, iu shtua frekuenca e frymëmarrjes dhe pulsi. Kjo më shqetësoi seriozisht dhe ndërhyra menjëherë me terapi adekuate duke ia përmirësuar parametrat. Për fat të mirë arritëm që ta dorëzojmë pacientin në njërin prej spitaleve më eminente në Stamboll… Pas 5 vitesh vijnë familjarët e pacientit të më takojnë dhe të më falënderojnë duke më thënë ju ja keni shpëtuar jetën fëmijës sonë. Kot iu thosha që nuk e kam operuar unë. Ata ishin të bindur që unë isha shpëtimtari i fëmijës së tyre…

 

  • Momente të veçanta përjetimi janë edhe rastet kur pas shumë vitesh vjen të na falënderohet pacienti të cilit i kishim shpëtuar jetën. Një rast i tillë ishte me një fëmijë që kishte rënë nga një lartësi prej disa metrash dhe e kishin sjellë në gjendje të rëndë me çrregullime të frymëmarrjes, saturim të zvogëluar… Pas ekzaminimit i vendosim katër gjilpëra 18 gr. nën lëkurë të kraharorit të cilat bënë efekt dhe ia përmirësuan gjendjen. Më pas e dërguam në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm klinik… Kishin kaluar afro dhjetë vite nga ai rast dhe vjen një djalosh që na u prezantua si student i gjuhëve të huaja. Na tha erdha t’ju falënderoj se ma keni shpëtuar jetën kur isha rrëzuar. Ne nuk e njihnim por gjithsesi ky gjest falënderues i atij djaloshi na bëni që të ndiheshim mirë.

Derisa isha përgjegjës i Emergjencës gjithashtu kishte shumë ngjarje të këndshme të cilat vështirë se harrohen ndonjëherë.

Doktor Sadriun e urojmë për ditëlindjen e tij të 65-të duke i dëshiruar shëndet në radhë të parë dhe suksese në punën dhe angazhimin e tij në mjekësi e sport!

 

 

 

 

 

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA