Ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko, ka njoftuar se forcat ruse po kryejnë një sulm në shkallë të gjerë në sistemin energjetik të Ukrainës.
“Armiku po fillon sërish një sulm në shkallë të gjerë në infrastrukturën tonë energjetike”, ka shkruar në Facebook, Halushchenko, transmeton Telegrafi.
Operatori i Sistemit të Transmetimit po merr masat e nevojshme, për të kufizuar konsumin dhe minimizuar pasojat negative për rrjetin elektrik.
“Sapo të lejojë situata e sigurisë, punonjësit e energjisë do të vlerësojnë dhe konfirmojnë shkallën e dëmit”, shtoi Halushchenko.
Shpërthime janë raportuar në qytetet Dnipro, Kryvyi Rih, Samar dhe Kamianske.
Kryebashkiaku i Kharkivit, Ihor Terekhov deklaroi se qyteti është nën sulm nga raketat balistike.
Tre persona janë plagosur në lagjen Saltivskyi, dy prej tyre në gjendje të rëndë. Sulme janë regjistruar edhe në lagjen Kyivskyi të qytetit.
Një paralajmërim për sulm ajror mbetet në fuqi në të gjithë vendin. /Telegrafi/