Ruben Amorim mund të rikthehet së shpejti në bankinë, pas periudhës së vështirë te Manchester United. Trajneri portugez po përmendet si zëvendësues i Jose Mourinhos te Benfica, një mundësi që do t’i lejonte të rindërtojë reputacionin e tij në vendlindje.
Amorim është pranë rikthimit në menaxhim, pasi u shkarkua nga Man Utd në janar dhe ka qenë pa punë që nga largimi nga “Old Trafford”. Sipas The Sun, gjiganti portugez e sheh Amorimin si kandidatin kryesor për ta marrë drejtimin e skuadrës në rast të largimit të Mourinhos.
Pavarësisht vështirësive në Angli, reputacioni i Amorimit në Portugali mbetet i lartë, falë periudhës së suksesshme te Sporting Lisbona.
Ky vend vakant në “Estadio da Luz” ka ardhur sepse Mourinho pritet të transferohet te Real Madridi. Benfica ka nisur tashmë planifikimin për sezonin e ardhshëm, dhe Amorim shihet si opsioni i preferuar për të udhëhequr skuadrën.
Raportet sugjerojnë se Mourinho po përgatitet për një rikthim te Real Madridi, pas përfundimit të sezonit pa humbje me Benficën. Megjithatë, klubi përfundoi kampionatin në vendin e tretë, jashtë zonës që siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, thuhet se ka kontaktuar Mourinhon për të marrë drejtimin e skuadrës spanjolle.
Ky zhvillim pritet të shkaktojë një “zinxhir” ndryshimesh te trajnerët, duke i hapur rrugën Ruben Amorimit për të marrë postin te Benfica.





