Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka konfirmuar se objektivi i “Dardanëve” në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve ndaj Irlandës është fitorja.
Kosova do të përballet me Irlandën të enjten nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa Foda ka bërë të ditur se dy lojtarë, Florent Muslija dhe Elvis Rexhbeçaj, nuk do të jenë në dispozicion për shkak të lëndimeve.
“Mund të ketë ndonjë ndryshim eventual pasi Muslija mungon shkaku i lëndimit, njësoj si Rexhbeçaj. Kemi 27 lojtarë të ftuar dhe në dispozicion. Në futboll ndodh të ketë lëndime dhe mungesa. Këto mungesa mund të jenë një mundësi për lojtarët e rinj që duhet ta tregojnë veten dhe t’i dëshmojnë aftësitë e tyre.”
Foda ka vlerësuar edhe talentin e Bayern Munichut, Erblin Osmani, i cili është grumbulluar për herë të parë me përfaqësuesen A të Kosovës.
“Erblin Osmani ka treguar veten shumë mirë në ushtrime dhe ka dëshmuar pse e kemi ftuar në Kombëtare. Ka treguar aftësi të jashtëzakonshme teknike. Për moshën që e ka është shumë i fuqishëm fizikisht. Në seancat stërvitore e ka treguar veten shumë mirë.”
Foda ka konfirmuar gjithashtu se Osmani dhe Dion Kaçuri kanë marrë aprovimin e FIFA-s për të përfaqësuar Kosovën. Ndërkohë, mbetet e hapur mundësia që njëri prej lojtarëve të rinj të debutojë ndaj Irlandës.
“Do të shihet nesër”, u përgjigj Foda kur u pyet nëse Osmani, Kaçuri apo Milot Avdyli do të marrin minuta.
Përzgjedhësi gjerman foli edhe për Fisnik Asllanin, për të cilin tha se është në formë të mirë dhe se pret ta shohë në fushë.
“Fisnik Asllani është në top-formë dhe njëkohësisht e ka treguar veten shumë mirë në ushtrime. E dimë që në ekipin e tij ka pasur pak minuta në dispozicion. Por besoj që Fisnik Asllani do të dalë në fushë.”
Në prag të ndeshjes është konfirmuar edhe kapiteni i ri i Kosovës. Vedat Muriqi do ta mbajë shiritin, ndërsa Mërgim Vojvoda do të jetë zëvendëskapiten.
Kapiteni i Kombëtares do të jetë Vedat Muriqi. E kemi diskutuar këtë edhe me lojtarët. I dyti do të jetë Mërgim Vojvoda.”
Sa i përket sfidës me Irlandën, Foda ka thënë se Kosova e njeh mirë kundërshtarin, por avantazh e konsideron faktin që ndeshja zhvillohet në shtëpi.
“Sigurisht se i njohim kualitetet dhe cilësitë e Irlandës. E dimë se si ka luajtur në ndeshjet e fundit. Ne i kemi analizuar me shumë vëmendje të gjitha ndeshjet. Avantazhi është se luajmë në shtëpi.”
Foda ka theksuar se Kosova dëshiron t’i fitojë ndeshjet, edhe pse pranon se gjatë lojës mund të ketë skenarë të ndryshëm.
“Dëshirojmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, por nesër do të shihet se si do të shkojë loja. Ndoshta mund të pajtohemi edhe me barazim. Por qëllimi është të fitojmë.”
Kosova bën pjesë në Grupin 3 të Ligës B së bashku me Irlandën, Austrinë dhe Izraelin. Pas ndeshjes me irlandezët, “Dardanët” do të përballen me Austrinë më 27 shtator, Izraelin më 1 tetor dhe sërish Austrinë më 4 tetor.
Foda ka bërë të qartë se objektivi i parë është mbetja në Ligën B, ndërsa më pas synohet ngritja nëse rezultatet dhe paraqitjet e lejojnë.
“Na presin lojë të vështira dhe dihet që në këtë grup Austria është favorite. Ne si Kombëtare kemi shumë qëllime të larta. Në radhë të parë dëshirojmë të mbesim në Ligën B. Pastaj, nëse paraqitemi mirë, të vazhdojmë dhe të ngrihemi”, përfundoi Foda





