Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Real Madridi është shumë afër që të kompletojë një marrëveshje për Jude Bellingham.
Kushtet personale mes dy palëve veçse janë arritur në muajin prill në një marrëveshje afatgjate, ndërsa Reali nuk do të bëjë një herë ofertë pasi dëshiron ta respektojë Borussia Dortmundin në garën për titull, raporton KosovaPress.
Marrëveshja është afër, ku Reali do të ofrojë 100 milionë euro të sigurta dhe disa bonuse shtesë. Javën e ardhshme do të ketë bisedime të rëndësishme për të arritur marrëveshje.
Ndërkaq, tani janë bërë të ditura edhe detajet e kontratës së Bellingham te Reali. Ylli anglez do të nënshkruajë një marrëveshje gjashtë vjeçare, që do ta mbajë atë në “Santiago Bernabeu” deri në qershor të vitit 2029.
Paga e lojtarit do të përmirësohet sezon pas sezoni, ku një pjesë e saj do të lidhet me bonuset e skuadrës dhe të paraqitjeve të Bellingham.
Momentalisht fokusi është te gara për titull e Bellingham, ndërsa pastaj do të bëhet nënshkrimi i dokumenteve pasi që kushtet personale janë arritur në muajin prill.