Ronaldo dhe Messi, dy superyjet që pritet të arkëtojnë së bashku 396 milionë euro në sezonin 2026/2027

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi vazhdojnë të dominojnë futbollin botëror, por gara mes dy legjendave nuk zhvillohet më vetëm për gola dhe trofe. Edhe jashtë fushës, dy superyjet mbeten në krye, me të ardhura që arrijnë shifra marramendëse.
Sipas parashikimeve të Forbes për sezonin 2026/2027, Ronaldo pritet të arkëtojë rreth 267 milionë euro, duke u renditur si futbollisti më i paguar në botë.
Reklamë
Pjesa dërrmuese e të ardhurave të portugezit vjen nga kontrata me Al Nassrin, rreth 222,5 milionë euro, ndërsa 44,5 milionë të tjera parashikohen nga sponsorët dhe bizneset e tij.
Në vendin e dytë qëndron Lionel Messi, me të ardhura të pritshme prej 129 milionë eurosh. Argjentinasi pritet të përfitojë rreth 62,3 milionë euro nga angazhimi te Inter Miami, ndërsa 66,8 milionë euro nga marrëveshjet komerciale dhe aktivitetet jashtë futbollit.
Ronaldo ka ndërtuar një perandori përmes markës CR7, që përfshin modën, parfumet dhe hotelet, si dhe investimeve në sektorë të tjerë. Messi, ndërkohë, vazhdon bashkëpunimet me marka të njohura ndërkombëtare dhe zgjerimin e interesave të tij në biznesin e futbollit.
Së bashku, dy yjet pritet të fitojnë rreth 396 milionë euro gjatë sezonit, pothuajse gjysmën e të ardhurave të dhjetë futbollistëve më të paguar, të vlerësuara në rreth 838 milionë euro.
Në këtë listë bëjnë pjesë edhe emra të gjeneratës së re, si Kylian Mbappe dhe Lamine Yamal, të cilët po rrisin ndikimin e tyre financiar dhe tregtar.
Megjithatë, këto shifra paraqesin të ardhurat e parashikuara për një sezon dhe jo pasurinë e përgjithshme të lojtarëve.
Kështu, rivaliteti Ronaldo–Messi vazhdon edhe jashtë stadiumeve, ku suksesi matet jo vetëm me trofe, por edhe me fuqinë financiare dhe perandoritë që të dy kanë ndërtuar ndër vite.









