Për të gjashtin vit radhazi, Rame Lahaj, tenori ynë me famë ndërkombëtare dhe njëkohësisht themeluesi i festivalit, do të ngjitet në skenën e Gala Night “Rame Lahaj & Friends”, mbrëmjes që është bërë simbol i festivalit dhe një nga ngjarjet artistike më të rëndësishme të verës në Kosovë.
I afirmuar në disa prej institucioneve më prestigjioze operistike në botë, nga Royal Opera House dhe Opéra National de Paris deri te Arena di Verona, Deutsche Oper Berlin dhe Bolshoi Theatre, Lahaj ka ndërtuar një karrierë që e ka shndërruar në një prej ambasadorëve më të njohur kulturorë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Kur themeloi Rame Lahaj International Opera Festival, vizioni i tij ishte i qartë: të krijonte një platformë ku publiku në Kosovë të kishte mundësinë të dëgjonte nga afër artistët që interpretojnë në skenat më të rëndësishme të operës botërore. Edhe këtë vit, ai rikthehet në vendlindje së bashku me kolegë, bashkëpunëtorë dhe miq artistë nga e gjithë bota, duke i bërë ata pjesë të historisë, kulturës dhe mikpritjes sonë.
Më 29 korrik, në zemër të Prishtinës, Rame Lahaj dhe miqtë e tij do të bashkohen sërish në një mbrëmje që përmbyll rrugëtimin artistik të edicionit të gjashtë duke përcjellë denjësisht mesazhin: PLAY MUSIC, NOT WAR.
Shitja e biletave do të hapet së shpejti./





