Përgatiti: Nora Luta
25 vjet burgim unik i ka shqiptuar Gjykata Themelore e Prishtinës, Ragip Gashit për vrasjen e bashkëshortes së tij M.G.
Gashin, Gjykata e ka gjetur fajtor për vrasje të rëndë, e cila kishte ndodhur në vitin 2016 në lagjen “Mati 1”, të Prishtinës. Për këtë pikë të aktakuzës, Gjykata e dënoi Gashin me 24 vjet burgim. Ndërsa për armëmbajtje pa leje, me dy vjet.
Sipas kryetares së trupit gjykues Fatime Dermaku, gjykata në këtë rast, e ka shqyrtuar edhe shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.
Ragip Gashi, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës më 21 dhjetor 2016 në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, i nxitur nga motivet e ulëta të xhelozisë, në mënyrë dinake e privon nga jeta gruan e tij, M.G.
Ai që nga ajo kohë ndodhet në paraburgim, dhe të hënën nuk u soll në Gjykatë për ta dëgjuar vendimin.
Sipas aktit akuzues, në ditën kritike, Gashi i kishte thënë të ndjerës se do ta priste në rrugë, pasi i kishte thënë fillimisht se do të shkonte për ta marrë në shtëpinë e disa familjarëve ku ishte për vizitë.
Sipas aktakuzës vëllai i saj i e kishte përcjellë, por papritmas atyre iu kishte dalë në pritë Gashi me revole në dorë, i cili me dashje që ta privojë nga jeta, kishte shtënë në drejtim të viktimës M.G.