Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka çelur këtë të premte në Prishtinë seminarin dyditor të FIFA-s për gjyqtarët e futbollit, një aktivitet që shënon nisjen zyrtare të përgatitjeve për sezonin garues 2026/27.
Seminari synon të forcojë aftësitë profesionale, teknike dhe fizike të gjyqtarëve kosovarë, duke i pajisur ata me njohuritë më të fundit për të përballuar kërkesat e futbollit modern.
Ceremonia e hapjes u drejtua nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ndërsa ligjëratat po zhvillohen nga instruktori i FIFA-s, Alan Snoddy, si dhe eksperti i përgatitjes fizike, Simon Breivik.
Gjatë dy ditëve të seminarit, gjyqtarët do të trajtojnë një sërë temash kyçe, përfshirë ndryshimet në Rregullat e Lojës për edicionin 2026/27, analizën e situatave të diskutueshme, përdorimin e teknologjisë VAR, integritetin e zyrtarëve të ndeshjes, menaxhimin e sfidave në fushë, përgatitjen fizike dhe analizën e rasteve konkrete nga kampionati vendor.
Një pjesë e rëndësishme e programit janë edhe testet fizike të zhvilluara sipas standardeve të FIFA-s, me synimin që gjyqtarët të jenë në nivelin optimal të gatishmërisë për fillimin e sezonit të ri.
Përmes organizimit të këtij seminari, FFK riafirmon angazhimin për zhvillimin profesional të arbitrave, duke synuar rritjen e cilësisë së gjykimit në garat vendore, si dhe përgatitjen e tyre për angazhime në arenën ndërkombëtare.





