Qorrolli kërkon nismë të re ligjore për Dhomat e Specializuara, thotë se ligji aktual është i paimplementueshëm

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, ka thënë se nevojitet një nismë e re ligjore për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi sipas tij, ligji aktual është i paimplementueshëm, raporton Ekonomia Online.
Qorrolli pas mbledhjes se Komisionit ka thënë se Komisioni do ta njoftojë seancën plenare për shqyrtimin e këtij vendimi, ndërsa Kuvendi duhet të vendosë nëse do ta lërë ligjin në fuqi duke rrëzuar dekretin e presidentes me 61 vota.
Reklamë
Ai ka theksuar se një iniciativë e re duhet t’i përfshijë vërejtjet dhe rekomandimet e faktorit ndërkombëtar, si dhe të sigurojë zbatimin e ligjit.
“kemi marrë qëndrim që ta njoftojmë seancën plenare që Komisioni per Legjislacionit e ka marrë në shqyrtim njoftimin e Presidentes mbi kthimin e ligjit, dhe tash i takon seancës plenare që ta lë ligjin në fuqi duke rrëzuar atë dekretin me 61 vota, në rastin e kundërt, duke u konsideruar se nuk ka cili është çfarë. Kjo është ana juridike e çështjes”.
“Ndërkohë që për çështje politike, të cilat duhet të jenë me negocim sipër midis, Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike, ndihmi përfundimtar i takon deputetëve të Kuvendit që të konsiderojnë, sepse siç e thamë edhe në 6 tetor edhe sot, ne konsiderojmë që një iniciativë e re ligjore, e cila do t’i merrte në shqyrtim të gjitha vërejtjet, rekomandimet edhe te faktorit ndërkombëtar, po dhe qëllimin final të cilin e ka ky ligj, implementimin e tij, sepse e dini ky ligj është shndërruar në një gjë të paimplementueshme nga dita e miratimit nga Kuvendi me 6 tetor”, tha ai.
Qorrolli ka shprehur shqetësimin se nëse ligji aktual mbetet në fuqi pa ndryshime, ai sërish nuk do të mund të zbatohet.
“Dhe tash nëse kthehemi në të njëjtën situatë, për ta lënë këtë ligj në fuqi, siç ka qenë, pa e ndryshuar asnjë pikë a presje, se kam frikën, si juris po ju flas, që ky ligj është sërish i paimplementueshëm. Prandaj duhet një iniciativë e re ligjore që ky ligj të shndërrohet në të implementueshëm, dhe bashkë me strategjinë, me grupin strategjik që katër krerë të UÇK të Kosovës në këtë rast, ish-krerë doja të thoja, të dalë sa më shpejt, si i pafajshëm, në mënyrë që shteti jonë të kujdeset siç po bën kujdesin maksimal”, tha ai.
I pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë ligjin, Qorrolli ka thënë se vendimi i takon seancës plenare dhe se negociatat ndërmjet subjekteve politike janë ende duke vazhduar.
“I takon seancës plenare. Unë nuk, unë po flas këtu si kryetar i Komisionit për Legjislacion, duhet t’i takojë krerëve të subjekteve politike, me sa e di që negocijatat ende po rrjedhin dhe do të ketë një dakordim final”, tha ai.
Reklamë











