Ancelotti i beson Raphinhas shiritin e kapitenit te Brazili

Trajneri i Përfaqësueses së Brazilit, Carlo Ancelotti, ka marrë një vendim të rëndësishëm për ndeshjet e ardhshme miqësore, duke ia besuar sulmuesit të Barcelonës, Raphinha, shiritin e kapitenit të “Seleçaos”.
Sipas raportimeve të gazetës spanjolle Marca, 29-vjeçari do të jetë lideri i Brazilit në sfidat miqësore ndaj Japonisë dhe Singaporit, duke marrë përsipër një përgjegjësi të re në përfaqësuesen e vendit të tij.
Reklamë
Raphinha do ta marrë këtë detyrë në mungesë të mbrojtësit të Paris Saint-Germainit, Marquinhos, i cili nuk do të jetë në dispozicion të Ancelottit gjatë këtij grumbullimi për shkak të një lëndimi.
Ajo që bie në sy është fakti se tekniku italian e ka preferuar yllin e Barcelonës përpara emrave të njohur si Vinicius Junior, Gabriel Magalhaes dhe Bruno Guimaraes, duke dëshmuar besimin që ka në aftësitë e tij drejtuese.
Ky vendim vjen në një kohë kur Raphinha ka fituar gjithnjë e më shumë rëndësi edhe te Barcelona. Trajneri Hansi Flick e ka emëruar atë kapiten të skuadrës katalanase për këtë sezon, duke vlerësuar jo vetëm kontributin e tij në fushë, por edhe ndikimin pozitiv në dhomat e zhveshjes.
Ndërkohë, Barcelona dhe përfaqësuesja braziliane kanë arritur marrëveshje për të menaxhuar me kujdes minutazhin dhe ngarkesën fizike të sulmuesit, me synimin për të shmangur probleme të mundshme fizike.
Kështu, Raphinha po fiton gjithnjë e më shumë statusin e një prej figurave kryesore të futbollit brazilian, duke marrë besimin për të udhëhequr kombëtaren në sfidat e radhës.
Reklamë








