Alarm në sportin botëror, 10 milionë fëmijë dyshohet se përdorin doping

Një fenomen shqetësues po merr përmasa alarmante në sportin botëror. Rreth 10 milionë fëmijë në mbarë botën dyshohet se janë të përfshirë në përdorimin e substancave të dopingut, duke rrezikuar shëndetin dhe të ardhmen e tyre sportive.
Ky është alarmi që vjen nga një hulumtim i transmetuesit publik gjerman ARD, i realizuar pas gjashtë vitesh kërkime në më shumë se 50 shtete dhe 25 sporte të ndryshme.
Reklamë
Sipas studimit, nga rreth 200 milionë fëmijë të moshës 8 deri në 17 vjeç që merren me sport garues, 5 deri në 6 për qind mund të përdorin substanca për përmirësimin e performancës.
Ndër preparatet më të përdorura përmenden steroidet anabolike dhe hormoni i rritjes. Madje, disa të mitur mund t’i konsumojnë ato pa e ditur përmbajtjen, pasi u prezantohen si vitamina apo produkte të padëmshme.
Hulumtimi evidenton se presioni për rezultate dhe suksese sportive po i shtyn gjithnjë e më shumë fëmijët drejt kësaj praktike. Në disa raste dyshohet se ndikim kanë edhe trajnerët, prindërit dhe persona të tjerë të përfshirë në sport.
Shqetësues është edhe fakti se vetëm rreth 100 të mitur në vit rezultojnë pozitivë në kontrollet antidoping, duke ngritur dyshime për numrin e rasteve që mund të mbeten të pazbuluara.
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i dopingut në moshë të hershme mund të shkaktojë pasoja serioze dhe afatgjata për shëndetin e fëmijëve.
Seria dokumentare e ARD-së, që synon të zbulojë përmasat e këtij fenomeni, nis publikimin më 13 nëntor.
Reklamë











