Granit Shala paralajmëron spektakël në Dusseldorf: Kundërshtari ende nuk e ka provuar grushtin shqiptar

Boksieri shqiptar Granit Shala po përgatitet për një nga sfidat e radhës në ring, ku më 28 nëntor, në Dusseldorf të Gjermanisë, do të përballet me boksierin Kristinsson.
Në prag të kësaj përballjeje, Shala ka përcjellë një mesazh për të gjithë shqiptarët përmes një videoje të publikuar në Instagram, duke i ftuar që të jenë pjesë e kësaj mbrëmjeje sportive dhe ta mbushin sallën me ngjyrat kuqezi, pikërisht në një datë kaq simbolike për shqiptarët.
Reklamë
Boksieri shqiptar shprehet se po kalon periudhën më të mirë të karrierës së tij dhe se është maksimalisht i motivuar për këtë duel. Megjithatë, përballë do të ketë një kundërshtar mjaft të vështirë, i cili vjen me një bilanc mbresëlënës prej 20 fitoresh në po aq ndeshje, 14 prej tyre të arritura me nokaut.
Por, pavarësisht statistikave të kundërshtarit, Shala nuk shfaq asnjë dyshim në besimin e tij për triumf. Madje, ai ka zgjedhur edhe një mesazh provokues për rivalin, duke theksuar se ende nuk e ka përjetuar fuqinë e grushtit shqiptar.
“Përshëndetje miqtë e mi, unë jam Granit Shala. Meçin e radhës e kam në Dusseldorf, më 28.11. Ju pres të gjithë shqiptarëve të vini kuqezi dhe të bëjmë një festë fantastike në Ditën e Flamurit, për t’i treguar botës se kush jemi ne dhe çfarë dimë të bëjmë”, u shpreh Shala.
Ai shtoi se ndihet në formën më të mirë fizike dhe mendore, ndërsa pret një përballje të fortë, por me besimin e plotë se do të dalë fitues.
“Kundërshtarin e kam shumë të fortë, me asnjë humbje, 20 fitore dhe 14 nokaut, por ai ende nuk ka ngrënë grusht shqiptari kuqezi. Do t’i tregoj se çfarë nate do të jetë kjo”, deklaroi boksieri shqiptar.
Në fund, Shala përsëriti thirrjen për bashkatdhetarët, duke kërkuar që Dusseldorfi të shndërrohet në një arenë të vërtetë kuqezi.
Përballja e 28 nëntorit pritet të jetë më shumë se një duel boksi për Granit Shalën, pasi ai synon që këtë mbrëmje ta kthejë në një festë të madhe shqiptare, duke kërkuar mbështetjen e bashkatdhetarëve në një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë.
Reklamë










