Dardanët vazhdojnë përgatitjet, zhvillohet seanca e dytë stërvitore para dy sfidave të radhës

Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet e ardhshme në kuadër të Ligës së Kombeve, duke zhvilluar sot seancën e dytë stërvitore në prag të përballjeve me Izraelin dhe Republikën e Irlandës.
Atmosfera në kampin e “Dardanëve” paraqitet mjaft pozitive, ndërsa futbollistët po punojnë me përkushtim për t’u përgatitur sa më mirë për këto dy sfida të rëndësishme.
Reklamë
Në stërvitjen e sotme ishin të pranishëm pothuajse të gjithë lojtarët e grumbulluar, me përjashtim të Lumbardh Dellovës, i cili mungoi në këtë seancë.
Ndërkohë, rikthimi në Kombëtare ka sjellë entuziazëm te Betim Fazliji dhe Kreshnik Hajrizi, të cilët janë shprehur të lumtur që sërish janë pjesë e Kombëtares së Kosovës.
Të dy futbollistët kanë shprehur optimizëm për dy ndeshjet e ardhshme, duke besuar se Kosova ka potencialin për të marrë rezultate pozitive.
Kujtojmë se fillimisht Kosova do të përballet me Izraelin, në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa më pas do të udhëtojë drejt Dublinit për duelin me Irlandën.
Dardanët synojnë ta shfrytëzojnë në maksimum këtë periudhë përgatitore, me objektivin për ta mbyllur edicionin e Ligës së Kombeve me paraqitje dhe rezultate sa më të mira.
Reklamë








