PËRGATITI: FATLUM JASHARI
“Për projektin për të cilin sot nënshkruam kontratën, dua t’ju njoftoj se gjatësia është 9.78km dhe bëhet fjalë për segmentin nga Lumi i Madh deri në Gojbulë”.
Edhe pse kontrata e nënshkruar më 8 Shkurt, parasheh zgjerimin dhe ndërtimin e një segmenti 9.78 kilometërsh të rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë, qeveritarët prenë shiritin pas kompletimit të punës në 56% të gjatësisë së tij.
Përkundër kësaj, kryeministri Albin Kurti tha se projekti “që ka pothuajse moshën e pavarësisë po bëhet”.
Por, përfundimi i pjesës tjetër të segmentit të kontraktuar, nga hyrja e Vushtrrisë në drejtim të Mitrovicës, do ende kohë.
Jo larg vendit ku u bë inagurimi, në hyrje të Vushtrrisë, po vazhdojnë punimet për ndërtimin e pjesës tjetër të segmentit deri në fshatin Gojbulë, që ka një gjatësi rreth 4 kilometra.
Në kohën kur kanë mbetur më pak se dy muaj afat për finalizimin e punës, në pjesën që shmangë kalimin nëpër qytet nuk u panë ekskavatorë e as punëtorë.
Kontrata e nënshkruar Shkurt, parasheh ndërtimin e rrugës nga fshati Lum i Madh deri këtu në Gojbulë, për të vazhduar lidhjen me segmentin e përfundua r deri në fshatin Smrekonicë.
Tutje për segmentin nga Smrekonica e Vushtrrisë deri në hyrje të Mitrovicës, në gjatësi prej rreth 5 kilometrash, nuk është shpallur ende tenderi.
Punët për zgjerimi dhe ndërtimin e rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, në një gjatësi rreth 35 kilometra, kanë nisur para 15 vjetësh./atvlive.tv/





