Kryetari i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj, në ditën e nëntë të fushatës elektorale ka publikuar një video-incizim në rrjetin social Facebook, ku ka kritikuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidatin e kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamzën.
Në videon e publikuar, Molliqaj ka deklaruar se, sipas tij, sa më afër datës 7 qershor, aq më të dukshme po bëhen synimet e PDK-së dhe Bedri Hamzës për pushtet.
Ai ka ngritur pyetje lidhur me qëndrimet e PDK-së ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke pretenduar se kjo parti më herët e kishte cilësuar Kurtin si rrezik për vendin, ndërsa tani, sipas tij, po lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit pas zgjedhjeve.
Sipas tij, deklaratat e zyrtarëve të PDK-së për mundësinë që Albin Kurti të bëhet president tregojnë se çështja kryesore nuk ka qenë “rreziku” që ata kanë përmendur më herët, por ndarja e pushtetit.
Në fund, kreu i PSD-së u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë për PSD-në këtë të diele.





