Kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë ditës së fundit të fushatës ka zhvilluar aktivitete të shumta në terren dhe ka ndarë mesazhe e zotime nga takimet e mëparshme.
Në mëngjes, Kurti publikoi një mesazh kushtuar Mujë Krasniqit – Komandant Kapuçit, me rastin e ditëlindjes së tij. Ai njoftoi se takoi bacën Lilë, me të cilin ndau rrëfime për figurën e Krasniqit, të cilin e përshkroi si simbol të qëndresës dhe përkushtimit për liri.
Gjatë pasdites, Kurti zhvilloi një vizitë në Prizren, ku u prit nga Haxhi Krasniqi me familjarët e tij. Sipas njoftimit, diskutimet u përqendruan në tema të ndryshme si mbrojtja dhe siguria, industria dhe prodhimi, si dhe arsimi e shëndetësia.
Ndërkohë, Kurti shpërndau edhe pamje nga një tubim i mbajtur të premten në Sharr, ku u rikujtuan disa premtime elektorale.
Tubimi përmbyllës zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje do të mbahet në Prishtinë, prapa Pallatit të Rinisë, në orën 20:30.





