Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar vizitat edhe pas mbylljes zyrtare të fushatës.
Kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka ndarë në rrjete sociale pjesë nga aktivitetet përmbyllëse të fushatës, duke rikujtuar projektet infrastrukturore të prezantuara gjatë garës elektorale.
Ndërkohë, kandidatja për presidente dhe një nga figurat kryesore në listën e LDK-së, Vjosa Osmani, përmes një video-mesazh në Facebook tha se “dorëzimi nuk është zgjidhje”.
Paraditen e së shtunës, Lumir Abdixhiku, së bashku me Vjosa Osmani, dhe disa kandidatë për deputetë, kanë qëndruar në Prizren.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku ka shkruar: “Paradite në Prizren. Në më të bukurin vend. Me qytetarë e njerëz të mbare të vendit.” Ndërsa Osmani ka falënderuar Familjen Hoxha për pritjen në Vlashnje të Prizrenit, duke e cilësuar vizitën si të këndshme dhe miqësore.
Më pas, delegacioni i LDK-së ka vazhduar aktivitetet në Ferizaj, ku janë takuar me një numër të madh qytetarësh dhe kanë ndarë pamje nga momentet e afërta me mbështetësit.





