Një fund dramatik dhe i diskutueshëm shoqëroi duelin në UFC Beograd, ku Bogdan Grad u shpall fitues ndaj Dennis Buzukjas pas një vendimi që shkaktoi reagime të shumta. Luftëtari shqiptar kundërshtoi menjëherë ndërprerjen e ndeshjes, duke këmbëngulur se nuk kishte dhënë dorëzim.
Të dy luftëtarët hynë në oktagon në kërkim të rikthimit te fitoret, pas një serie rezultatesh negative në UFC. Grad kishte një bilanc prej 1-2, ndërsa Buzukja 1-4, me të dy që vinin pas dy humbjeve radhazi.
Buzukja e nisi më mirë duelin në këmbë, duke goditur me disa kombinime të sakta. Megjithatë, Grad e bëri të qartë strategjinë e tij, duke kërkuar vazhdimisht ta zhvendoste luftën në tokë. Ai realizoi një rrëzim të hershëm, por nuk arriti ta mbante gjatë kundërshtarin në dysheme.
Pas rikthimit në këmbë, lufta u zhvillua me ritëm të lartë. Grad ushtroi presion të vazhdueshëm dhe kërkoi kombinime goditjesh, ndërsa Buzukja u përgjigj me goditje të pastra, veçanërisht me shkelma në këmbë dhe goditje në trup.
Një tjetër tentativë për rrëzim nga Grad u neutralizua fillimisht, por ai arriti ta rrëzonte sërish Buzukjan dhe mori kontrollin në tokë. Më pas tentoi ta detyronte kundërshtarin të dorëzohej, ndërsa Buzukja u mbrojt dhe riktheu pozicionin në gjysmë-gardë.
Raundi i dytë nisi me Gradin që vazhdoi të kërkonte kontrollin pranë kafazit, por kësaj radhe Buzukja u mbrojt më mirë dhe arriti ta kthente luftën në qendër të oktagonit.
Momenti vendimtar erdhi pak më vonë, kur gjyqtari ndërpreu duelin, duke vlerësuar se Buzukja kishte sinjalizuar dorëzim me “tap-out”.
Luftëtari shqiptar reagoi menjëherë ndaj vendimit, duke pretenduar se nuk kishte bërë asnjë shenjë dorëzimi.
Pamjet e përsëritura ngritën dyshime se lëvizja e dorës së Buzukjas mund të ishte keqinterpretuar si “tap”, ndërsa ai në fakt po përpiqej të shtynte gjurin e kundërshtarit dhe të përmirësonte pozicionin e tij.
Pavarësisht polemikave, vendimi nuk u ndryshua dhe Bogdan Grad u shpall fitues i duelit me dorëzim teknik.





