Një pikturë e artistit të njohur Mark Rothko ka vendosur rekord të ri në ankand, pasi u shit për 98.4 milionë dollarë në shtëpinë prestigjioze të ankandeve Christie’s në Nju Jork.
Vepra “No. 15 (Two Greens and Red Stripe)”, e realizuar në vitin 1964, arriti çmimin prej 85 milionë dollarësh pa tarifat shtesë, ndërsa me komisionet përfundimtare shifra totale shkoi në 98.4 milionë dollarë, duke thyer rekordin e mëparshëm të artistit.
Piktura, e cila kishte një vlerësim paraprak prej rreth 80 milionë dollarësh, ngjalli interes të madh mes koleksionistëve dhe u shit pas rreth një duzine ofertash nga blerës të ndryshëm.
Vepra kishte qenë në pronësi të koleksionistes dhe filantropes së njohur Agnes Gund, ish-presidente e nderit e Museum of Modern Art. Ajo e kishte blerë pikturën drejtpërdrejt nga Rothko në vitin 1967, vetëm tre vjet para vdekjes së artistit në vitin 1970, dhe e kishte mbajtur për dekada në shtëpinë e saj.
“No. 15 (Two Greens and Red Stripe)” është një abstraksion monumental mbi shtatë metra i lartë, i karakterizuar nga nuanca të thella jeshile dhe indigo, të ndërprera nga një vijë e kuqe-portokalli në pjesën e poshtme të kompozimit.
Rekordi i mëparshëm i Rothkos ishte vendosur në vitin 2012, kur piktura Orange, Red, Yellow u shit për 86.9 milionë dollarë, po në Christie’s.
Vetëm pak ditë më parë, një tjetër vepër e Rothkos, Browns and Blacks in Reds, u shit në Sotheby’s për 85.8 milionë dollarë, duke iu afruar rekordit të artistit.
Shitja e fundit konfirmon edhe një herë statusin e Mark Rothkos si një prej emrave më të kërkuar dhe më të vlerësuar në tregun ndërkombëtar të artit.





