Përgatiti: Fatlum Jashari
E diela shënoi fundin e planit kalimtar të Bankës Qendrore për, siç u tha, “zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme”.
Më 12 Shkurt, BQK-ja pati listuar dhjetë masa e veprime, duke pezulluar disa nga tarifat dhe ndëshkimet, me qëllim që të thjeshtëzojë tranzicionin nga Dinari në Euro, për komunitetin serb.
Pavarësisht se, në Bruksel, Kosovën fillimisht e përfaqësoi guvernatori i BQK-së e më pas zëvendëskryeministri për dialog, ditë më parë kryeministri nuk foli për periudhën pasuese duke këmbëngulur se Qeveria nuk është adresë për përgjigje.
Pa marrë parasysh se si ekzekutivi përpiqet ta paraqesë, sipas politologut Fidan Ukaj, negocimi për zgjidhje nuk është më teknik.
“Manovrimet e opinionit publik me deklarata taktizuese nga ana e Qeverisë së Kosovës, mendoj se janë më shumë për konsum të brendshëm elektoral sesa një realitet në terren. Për shkak se ishte një çështje teknike, ashtu siç tha Qeveria e Kosovës, dhe tanimë kjo është shndërruar në nivel politik. Përfaqësimi nga z. Bislimi pashmangshëm se është nivel politik, deri tani nuk kemi pasur zgjidhje, kemi pasur një zgjidhje të kësaj problematike, kemi pasur dështim të takimeve”, tha Ukaj.
Megjithëkëtë, ai vlerësoi se për komunitetin serb, i cili jeton në një ambient ku Euro është prezente për më shumë se dy dekada, procesi në terren është teknik.
Referuar kësaj, përkundër politizimit të çështjesh nga Serbia, Ukaj pret zbatim të plotë të rregullores së BQK-së.
“Zaten edhe e arriti qëllimin e saj ta zhvendosë deri në Këshillin e OKB-së. Megjithatë, nuk kishte sukses kjo zhvendosje ose dramatizim i kësaj çështje. Dhe, mendoj se nuk do të ketë një eskalim të situatës, por se do të ketë një kalim në heshtje, nëse mund ta quaj kështu, nga Dinari në Euro, dhe respektim të rregullores së Bankës Qendrore edhe në terren”, tha Ukaj.
Banka Qendrore ende nuk ka treguar shifra dhe rezultate për nivelin përgjigjes nga komuniteti serb ndaj masave të saj lehtësuese.
Gjatë javës, do të ketë një rund të ri bisedimesh në nivel krye-negociatorësh, në përpjekje për gjetjen e një marrëveshjeje për mënyrën e realizimit të pagesës së ndihmave sociale dhe pensioneve nga Serbia, për shtetasit e saj në Kosovë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionit Qendror të lajmeve në videon më poshtë:





