Për SHBA-në, asociacioni është mënyrë për kontrollin e veriut nga Kosova

Ndikimi që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ushtron përmes Listës Serbe në shkaktimin e zgjedhjeve në katër komunat në veri, sipas SHBA-së, mund të dobësohet përmes formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në bashkëbisedimin me gazetarë, të martën, Zëvendës-Ndihmës-Sekretari amerikan, Gabriel Escobar, tha se Kosova përmes Asociacionit mund të rrisë kontrollin në veri.
Por teksa draft-statutin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues e cilësoi skandaloz e të papranueshëm, opinionisti Agon Maliqi tha se pa pasur një dokument si referencë, është vështirë të dihet nëse Asociacioni forcon ose dobëson ndikimin e Serbisë.

Deklaratën e Escobarit ai e sheh në kontestin e gjendjes aktuale në veri.

“Më shumë e kishte fjalën në kuptimin se gjendja e tanishme dhe mungesa e çfarëdolloj rendi në veri e forcon Serbinë, sepse gjithçka funksionon përmes institucioneve paralele dhe popullsia lokale vazhdimisht e më shumë largohet nga institucionet e Kosovës dhe kërkon më shumë zgjidhje te Serbia. Ideja është që përmes një modeli të ri të qeverisjes ata ta gjejnë veten dhe ta shohin veten brenda rendit institucional të Kosovës”, tha Agon Maliqi, opinionist.

Teksa pjesëmarrjen e serbëve lokalë në zgjedhjet e reja eventuale e sheh si pikënisje të një integrimi të lehtë, profesori Dritëro Arifi e vlerëson pikëpamjen amerikane në një plan më afatgjatë.

“Perspektiva e z. Escobar në të ardhmen e afërt është se si do të duhej të dukej komplet një Kosovë e pavarur dhe sovrane, duke i pasur serbët e veriut në institucione. Pra në njëfarë forme, ndoshta jo menjëherë, por në planin afatgjatë serbët do të largohen nga Serbia, nëse ata e shohin një rrugë që në Kosovë mund të kyçen në institucione dhe mund të bashkëpunojnë me Qeverinë qendrore”, tha profesori universitar, Dritëro Arifi.

Vonesat në prezantimin e draft-statutit, të cilat Escobar i vlerësoi të pakuptimta, sipas Maliqit, po e paraqesin Kosovën si palë penguese në dialog.

“Ndoshta gabimi më i madh i Qeverisë, sepse ka një vit që zyrtarët amerikanë insistojnë që Kosova ta sjellë variantin e saj maksimal se si e sheh Asociacionin dhe mungesa e prezantimit të një dokumenti të tillë e bën Kosovën si përgjegjëse dhe bashkëfajtore në dështimin e dialogut”, tha Agon Maliqi, opinionist.

SHBA-ja ka përsëritur disa herë se asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe se nuk mund të jetë e as t’i ngjajë “Republikës Serbe” në Bosnjë. /atvlive.tv

Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA