Barcelona ka nisur të planifikojë të ardhmen dhe në klub duket se kanë një emër të preferuar për stolin pas përfundimit të epokës së Hansi Flickut. Bëhet fjalë për Cesc Fabregasin, aktualisht trajner i Comos.
Sipas raportimeve të “AS”, trajneri spanjoll është kandidati kryesor i drejtuesve katalanas për vitin 2028, kur Flickut i përfundon kontrata me Barcelonën.
Madje, raportohet se kontaktet e para mes palëve tashmë kanë nisur. Një përfaqësues i afërt me presidentin Joan Laporta, Alejandro Echevarria, ka udhëtuar drejt Comos, në një lëvizje që shihet si pjesë e planifikimeve për të ardhmen.
Barcelona thuhet se e ka informuar Fabregasin se dyert e klubit do të jenë të hapura për të në vitin 2028.
Plani është afatgjatë, pasi Flick ka kontratë deri në vitin 2028, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër. Në të njëjtën kohë, edhe kontrata e Fabregasit me Comon përfundon më 30 qershor 2028, çka e bën skenarin edhe më interesant.
Fabregasi mori drejtimin e Comos në korrik të vitit 2024 dhe që prej atëherë ka bërë hapa të mëdhenj në karrierën e tij si trajner.
Sezoni i kaluar ishte historik për klubin italian. Como përfundoi në vendin e katërt në Serie A, duke siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Skuadra regjistroi 20 fitore, 11 barazime dhe vetëm shtatë humbje.
Edhe fillimi i këtij sezoni ka qenë pozitiv. Como grumbulloi shtatë pikë në tri ndeshjet e para të kampionatit, ndërsa në debutimin në Ligën e Kampionëve dhuroi një paraqitje spektakolare, duke mposhtur RB Leipzigun me rezultatin 4-1.
Performancat e Fabregasit kanë bërë që vlerësimi për të të rritet ndjeshëm. Presidenti i Comos, Mirwan Suwarso, madje ka bërë një krahasim të bujshëm, duke e cilësuar ndikimin e spanjollit në klub të ngjashëm me atë që pati Johan Cruyff te Barcelona.
Tashmë mbetet të shihet nëse Fabregasi do të vazhdojë të shkëlqejë në Itali dhe, mbi të gjitha, nëse në vitin 2028 do të rikthehet te Barcelona. Por këtë herë, jo si lojtar, por si trajner i skuadrës së tij të dikurshme.





