Përgatiti: Krenare Mulliqi
Të palogjikshme e kanë vlerësuar deputetët e opozitës idenë e Ministrit të Financave, Hekuran Murati, në lidhje me reformat ne skemën pensionale.
Sipas tyre, propozimi që pensionistët ta marrin pensionin bazë, varësisht nga shuma e mjeteve që kanë në Fondin e Kursimeve Pensionale, as nuk duhet të shkojë për votim në Kuvend.
“Qysh me ja prek njerit paret në Trust, një gjë e tillë nuk guxon me ndodh në Kuvend e as nuk kemi me leju me ndodh. Ky është diskriminim…”, tha anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu.
Duke thënë se propozimi përbën shkelje të të drejtave të pensionistëve, ish-ministri Armend Zemaj ka thënë se si parti këtë propozim nuk do ta përkrahin.
“Kjo është pabarazi dhe e padrejtë, këto ide janë amatoreske…”, tha Zemaj.
Kjo reformë, sipas deputetit Bekim Haxhiut, do t’i revoltonte pensionistët.
Reforma në skemën pensionale, si dhe sociale është duke u bërë me Bankën Botërore nëpërmes një kredie në vlerë prej 47 milionë eurosh.






