Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare, ndërsa kandidati për Kryeministër i Republikës së Kosovës Bedri Hamza e nisi ditën me një tubim me gratë aktiviste dhe mbështetëse të PDK-së, ku prezantoi prioritetet e tij programore dhe vizionin për qeverisje.
“Do të investojmë në çerdhe, në arsim, në shëndetësi dhe në mbështetjen e bizneseve të grave. Do të krijojmë kushte që gratë të jenë më të pranishme në tregun e punës,” u shpreh Hamza, duke shtuar se fuqizimi i gruas nënkupton edhe fuqizimin e familjes dhe të shtetit.
Ai kritikoi qeverisjen aktuale duke pretenduar mungesë investimesh dhe politikash që lehtësojnë jetën e grave, teksa tha se rritja e kostos së jetesës po ndikon drejtpërdrejt në familje.
Sipas tij, shtesat sociale të aplikuara nga qeveria aktuale janë të përkohshme dhe nuk adresojnë, siç tha ai, zhvillim afatgjatë ekonomik.
Gjatë ditës, ai ka shpërndarë edhe një video-incizim me mesazhin se qytetarët më 7 qershor zgjedhin mes “dy rrugëve”.
Në ditën e pestë të fushatës, në tubimin e mbajtur në Malishevë mori pjesë edhe kryetari i Nismes, Fatmir Limaj, i cili bëri thirrje për mbështetje të PDK-së dhe listës zgjedhore me numër 125.





