Opozitari i njohur rus, Kara-Murza, dënohet me 25 vite burg për tradhti

Kritiku i njohur i Kremlinit, Vladimir Kara-Murza u dënua të hënën nga një gjykatë në Moskë me 25 vjet burg për tradhti.

Aktivisti i opozitës ka kritikuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe njihet si një ndër kritikët më të ashpër të presidentit rus, Vladimir Putin.

Prokurorët kishin kërkuar dënimin e gjatë në fillim të prillit, shkruan BBC.

Sipas avokates së Kara-Murza, Maria Eismont, politikani është në gjendje të keqe shëndetësore.

Ish-gazetari dhe politikani ruso-britanik është i fundit nga disa kundërshtarë të Putinit që janë arrestuar ose janë detyruar të largohen nga Rusia.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.

Javën e kaluar, ai tha në një deklaratë: “Unë pajtohem për çdo fjalë që kam thënë… Jo vetëm që nuk pendohem për asgjë, por jam krenar për këtë. Unë e di se do të vijë dita kur errësira që ka përfshirë vendin tonë do të pastrohet… Shoqëria jonë do të hapë sytë dhe do të dridhet kur të kuptojë se çfarë krimesh janë bërë në emër të saj”.

Dënimi 25-vjeçar i Kara-Murza ishte maksimumi i kërkuar nga prokurorët dhe është dënimi më i gjatë që një figurë opozitare ka marrë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

U deshën vetëm pak minuta që gjyqtari të vendoste për çështjen e tij – një proces që ndonjëherë mund të zgjasë shumë në gjykatat ruse.

Dënimi i ashpër është një shenjë se në Rusinë e sotme autoritetet janë të vendosura jo vetëm të mbyllin gojën e kritikëve, por edhe të neutralizojnë çdo gjë ose cilindo që ata besojnë se përfaqëson një kërcënim për sistemin politik.

BBC-së nuk iu lejua hyrja në gjykatë dhe vetëm një pjese të vogël të gazetarëve nga media shtetërore ruse iu dha akses, së bashku me nënën dhe avokatin e të pandehurit.

Në vend të kësaj, gazetarët dhe ambasadorët e huaj u grumbulluan në një dhomë të veçantë për të parë punimet në dy ekrane televizive.

Duke folur jashtë gjykatës pas dënimit, avokatja e Kara-Murza, Maria Eismon, tha se dënimi i ashpër ishte “i tmerrshëm”, por gjithashtu një “vlerësim i lartë” i punës së klientit të saj.

“Kur [Z. Kara-Murza] dëgjoi se ishin 25 vjet, ai tha: vetëvlerësimi im madje u rrit; kuptova se kisha bërë gjithçka siç duhet!”, tha ajo.

Vitin e kaluar, Kara-Murza fitoi çmimin për të drejtat e njeriut ”Vaclav Havel”.

Ai ua dedikoi çmimin të gjithë atyre në Rusi që janë kundër luftës në Ukrainë.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA