Gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq ka propozuar Slavko Simiqin për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.
Simiq tha se kandidatura është bërë në emër të popullit serb, me nënshkrimet e 9 nga 10 deputetët që mbajnë vendet e rezervuara për komunitetin serb.
“Në emër të popullit serb, me nënshkrimet e shumicës së deputetëve që mbajnë vendet e rezervuara për komunitetin serb, përkatësisht 9 nga 10 deputetë, propozojmë zotin Slavko Simiq si kandidat për nënkryetar të Kuvendit”, deklaroi ai.
Ky propozim ka nxitur reagime të shumta nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar duke thënë se deputeti i Listës Serbe, sipas saj, ka sulmuar Kushtetutën dhe Republikën nga foltorja e Kuvendit.
“E tash pritini këta që na tregojnë që nuk paska rëndësi që deputeti i Listës Serbe sulmon Kushtetutën dhe Republikën nga foltorja e Kuvendit”, ka shkruar Gërvalla.
Edhe deputeti i LVV-së, Andin Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së Simiqit, duke thënë se Lista Serbe nuk përfaqëson të gjithë popullin serb në Kosovë.
“Duhet të jetë e qartë: Lista Serbe nuk është populli serb”, ka shkruar Hoti.
Ai ka theksuar se kandidati nga komuniteti serb për nënkryetar të Kuvendit propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, sipas rregullave kushtetuese të Kosovës.
Hoti e ka akuzuar gjithashtu Listën Serbe për, siç pretendon ai, shndërrimin e të drejtave të komunitetit në instrument të politikës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Kosova nuk është Serbi. Kuvendi i Kosovës nuk është Beograd”, ka përfunduar Hoti. /Telegrafi/





