Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme për të mërkurën

U mblodhën për të diskutuar për pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, por në mungesë të kuorumit, dështoi të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.

Por, përkundër kësaj, të mërkurën do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, e cila është thirrur nga opozita, me ç’rast do të debatohet për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Për Krasniqin dhe gjithë bordin, Partia Demokratike e Kosovës po kërkon shkarkim.

“Drejtori i cili e mban ende pozitën e drejtorit të KEK-ut, ju e dini që tashmë është në paraburgim dhe ai nga paraburgimi e drejton korporatën më të madhe energjetike në vend. Kjo është e paprecedentë, është jashtëzakonisht e dëmshme. Ajo që do të duhej të ndodhte dhe kemi kërkuar edhe ditën e enjte është që ky person të shkarkohet, bordi i KEK-ut të shkarkohet dhe të merren masa edhe ndaj akterëve të tjerë, të përfshirë në kuadër të menaxhimit të krizës energjetike në ato keqpërdorime që kanë ndodhur”, tha shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ndërkaq, shefja e deputetëve të shumicës, Mimoza Kusari Lila, tha se qasja e opozitës në lidhje me hetimet që po zhvillohen për rastin në KEK, është tendencioze.

“Në vend se të kenë ose të kryejnë punën për të cilën janë zgjedhur, deputetët e opozitës kanë vendosur që tashmë të luajnë rolin edhe të prokurorit, edhe të hetuesve policorë, është e vërtetë që edhe disa defekte e karakterizojnë grupin tonë parlamentar, në raport me mbarëvajtjen e seancës”, tha Kusari-Lila.

Kusari-Lila u është përgjigjur edhe kritikave të opozitës se mazhoranca nuk po arrin të ketë shumicën minimale që të kalojnë projektligjet e pika të tjera të rendit të ditës.

“Është e vërtetë se janë disa defekte që e karakterizojnë edhe grupin tonë parlamentar, në raport të funksionimit apo mbarëvajtjes së seancës. Çdo ditë dhe çdo seancë po mundohemi t’i evitojmë ato dhe do të vazhdojmë edhe me punë dhe angazhim. Kjo javë duket se do të karakterizohet me vetëm mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme”, u shpreh Kusari-Lila.

Ajo theksoi se grupi parlamentar i LV-së, ka dy deputete që janë në pushim të lehonisë, e dy të tjerë që abstenojnë vazhdimisht. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA