Përgatiti: Sara Shehu
Tash e disa muaj ka nisur ndërtimi i një objekti të ri për nxënësit e shkollës “Ganimete Tërbeshi”, në fshatin Ponoshec të Gjakovës, ndërsa deri në përfundimin e projektit, rreth 70 nxënës po i mbajnë orët mësimore në një shkollë e cila ka probleme me ngrohje.
“Na kemi qenë ne një shkollë të vjetër po tani ajo osht rrënu e tani osht tu u ba ndërtimi i shkollës së re, e ne për momentin jemi te një objekt te ish gjimnazi për të vazhduar procesin mësimor. Ngrohemi me dru, nuk e kemi ndryshu ngrohjen, gjithmonë kjo shkollë ka qenë me dru, pasi ka mbet një sasi e druve, për atë arsye nuk kom dasht me i lon drut anash, sepse buxheti shkollës ka qenë i pamjaftushëm, andaj duhet tendera se peleti ma i shtrenjtë, e drut ma lirë”, tha drejtoresha e shkollës “Ganimete Tërbeshi”, Nergjivane Imeri.
Megjithatë, Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Eranda Kumnova-Baçi, tha se në koordinim me MASHT-in do të bëjnë të pamundurën që në vitin e ardhshëm të përfundojnë punimet e objektit të ri.
“Kushtet s’janë tepër te mira por të mira me mbajt mësim, ndërkohë shkolla e re së shpejti do të ndërtohet, mendojmë vitin tjetër të kryhet. Kemi kryer investime të shumta edhe në shkolla të tjera, kemi siguruar 15 psikologë nëpër shkolla, kemi arrit të sigurojmë staf për nxënësit për nevoja të veçanta”, tha drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova-Baçi.
Ministria e Arsimit ka ndarë mbi 1 milion euro për ndërtimin e shkollës në fshatin Ponoshec. Ndërkohë në kuadër të investimeve kapitale, komuna e Gjakovës, vetëm arsim ka investuar 600 mijë euro, kryesisht për renovime të shkollave përfshirë çerdhet.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:






