Lista Serbe ka njoftuar se do të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, një ditë pasi Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës, nuk e certifikoi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se vendimi i KQZ-së, është jodemokratik dhe kundër serbëve.
“Gjatë ditës do të paraqesim ankesë në PZAP dhe pres nga ata një vendim të qartë që do të hedhë poshtë këtë vendim absurd, antiserb dhe jodemokratik të [Albin] Kurtit”, deklaroi kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek në një konferencë për media.
Ellek tha se vendimi i KQZ-së, është urdhëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të cilin tha se “dëshiron të eliminojë serbët nga këto troje”.
“Kjo është dhunë institucionale dhe ligjore ndaj popullit serb dhe ndaj Listës Serbe, sepse Kurti nuk dëshiron të shohë deputetët e Listës Serbe në parlamentin e Kosovës, por dëshiron të ketë serbë të bindur si i ashtuquajturi ministër, z. [Nenad] Rashiq”, theksoi Ellek.





