Nora e Akili mbesin pa medalje, por japin shenja se po kthehen

Dita e tretë e Kampionatit Botëror nuk ishte e lehtë për ekipin e Kosovës në xhudo. Shorti nuk ishte më i miri, Driton Kuka u detyrua të largohej herët nga këndi i trajnerit dhe forma e rivalëve ishte shumë e lartë.

Nora Gjakova, Akil Gjakova e Flaka Loxha, që garuan të martën, mbetën pa medalje, njëjtë si Distria Krasniqi të hënën. Të tre kishin fitore, por jo ecurinë e duhur për të zënë vend në podium.

Është pritur rezultat më i mirë, sidomos nga Nora e ndoshta edhe nga Akili. Por asnjëri nuk ka shfaqur gjithë potencialin që ka. Megjithatë, Nora e Akili kanë dhënë shenja se po kthehen aty ku e kanë vendin, në nivelin më të lartë ndërkombëtar.

Nora e Akil Gjakova kanë pasur lëndime të krahut, që tashmë i takojnë së kaluarës. Më pas kanë pasur telashe edhe për të shfaqur më të mirën, sidomos Akili. Megjithatë, të dy ofruan sinjale të martën në Doha të Katarit se janë në rrugën e duhur. Nga ngjarja kryesore e vitit mbetën pa medalje, por synimi i madh i tyre është Olimpiada e vitit të ardhshëm në Paris.

Rrugëtimin e Norës në kategorinë deri 57 kilogramë e ndali turkja Hasret Bozkurt. Ajo ka pasur ditën më të mirë në karrierë. Fillimisht ndali kampionen në fuqi të botës, brazilianen Rafaela Silva e më pas kampionin olimpik në fuqi, Nora Gjakova.

Nora në xhiron e parë ishte e lirë e në të dytën mposhti italianen Thauany Capanni Dias. Më pas e mposhti edhe gjermanen Seija Ballhaus dhe festoi me emocion, sikur ta ketë kaluar një pengesë shumë të madhe. Ndoshta është emocioni që Norës i është dashur si shenjë për kthimin e duhur. Në çerekfinale pengesë e pakalueshme ishte Hasret Bozkurt nga Turqia. Nora nuk u rikuperua shpejt dhe humbi edhe nga jugkoreania Mimi Huh në repesazh. U rendit e shtata në fund.

Në kategorinë deri 57 kilogramë garoi edhe Flaka Loxha. E kaloi jo lehtë Christianne Legentilin e Mauriciusit. Më pas zhvilloi luftë të fortë me brazilianen Jessica Lima, por megjithatë pësoi humbje.

Edhe Flaka vlerësohet se ka lëvizur para me paraqitjen në Botërorin në Doha.

Në kategorinë deri 73 kilogramë, Akili nisi me fitore ndaj rumunit Adrian Sulca. Më pas e mposhti edhe jugkoreanin Heoncheol Kang. Por në xhiron e tretë i pakalueshëm ishte italiani Manuel Lombardo, ish-nënkampion i botës. Lombardo shkoi deri në finale më pas.

Trajneri Driton Kuka ka marrë sinjale të rëndësishme nga gara e deritashme në Botëror. Ai e di që prej ekipit të xhudistëve vazhdimisht priten medalje. E di po ashtu që presioni nuk është i lehtë të përballohet. Por Kuka është i fokusuar që ekipi të jetë në formën më të mirë në Olimpiadën e Parisit. Dhe është shumë i kënaqur se si ekipi po përgatitet për garën më të madhe të mundshme, ndonëse kanë mbetur edhe një vit e tre muaj.

Në Botëror do të garojnë edhe Laura Fazliu e Loriana Kuka. Laura garon të mërkurën. Ajo vlerësohet me potencial për të hyrë në zonën e medaljeve, por nuk do ta ketë të lehtë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA