Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar sërish se pushtimi izraelit në jug të Sirisë do të jetë i përhershëm.
Duke folur përmes video-konferencës në një program të organizuar nga Komiteti i Veprimit Politik Amerikano-Izraelit (AIPAC) në Washington, Netanyahu tha se “Ushtria izraelite do të qëndrojë në majën e malit Hermon (Jabal al-Sheikh) në Siri”, transmeton Anadolu.
Ai theksoi se do të vazhdojnë të qëndrojnë në “zonën tampon” ngjitur me rajonin ndërsa pretendon se nuk do të lejojnë praninë e ushtrisë siriane në jug të Damaskut.
Më tej Netanyahu ka pretenduar se rajoni do të çmilitarizohet.
– “Aleanca SHBA-Izrael nuk ka qenë kurrë më e fortë”
Duke kujtuar takimin e tij me presidentin amerikan Donald Trump, Netanyahu tha se takimi në fjalë ishte takimi më i rëndësishëm që ai ka patur me një president të SHBA-së. “Aleanca SHBA-Izrael nuk ka qenë kurrë më e fortë”, tha ai.
Netanyahu falënderoi presidentin amerikan Trump për sigurimin e shitjeve të reja të armëve ndaj Izraelit.
Ai iu referua sulmeve të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar. Netanyahu tha se ata do të vazhdojnë të qëndrojnë në kampet e refugjatëve palestinezë në rajon dhe dha mesazhin se sulmet do të jenë afatgjata.
Lidhur me pushtimin izraelit në Siri, Netanyahu përdori deklaratën e njëjtë që dha gjatë një ceremonie diplomimi ushtarak ku ai mori pjesë më 23 shkurt.
Populli sirian ka protestuar në pjesë të ndryshme të vendit kundër deklaratave të Netanyahut.