Në një familje me pesë anëtarë, fakti që tre ose katër prej tyre mbajnë syze nuk duhet parë domosdoshmërisht si problem shqetësues, por më tepër si një tregues i zakonshëm i nevojës për korrigjim të shikimit — sidomos në një kohë kur përdorimi i pajisjeve digjitale është rritur ndjeshëm.
Oftalmologu Ilir Osmani, në emisionin “LIBERO” këtë çështje nuk e pa si madhore, megjithëse theksoi se identifikimi i hershëm i problemeve me shikimin sipas tij, është thelbësor për zhvillimin e shëndetshëm të tyre. Një nga rekomandimet kryesore është që fëmijët t’i nënshtrohen kontrollit të syve që në moshë të hershme, rreth 3-4 vjeç, një praktikë e zakonshme në shumë vende evropiane.
Ky proces i njohur si “screening” (kontrolli skrining) ndihmon në zbulimin e hershëm të problemeve me dioptrinë dhe mundëson trajtimin e tyre në kohë. Nëse një problem me shikimin identifikohet dhe korrigjohet herët me syze, fëmija ka shumë më tepër gjasa të zhvillohet normalisht, pa pasoja afatgjata.
Nga ana tjetër, neglizhimi i këtyre kontrolleve deri në moshën 7-8 vjeç mund të çojë në vështirësi të vazhdueshme në shikim, të cilat mund të shoqërojnë individin gjatë gjithë jetës, sipas Doktor Ilir Osmanit.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Ilir Osmanit, klikoni në linkun e mëposhtëm:






