Përgatiti: Krenare Mulliqi
25 milionë euro është vlera e kontratës që u nënshkrua me qëllim zgjerimin e rreth 10 kilometrave të magjistrales që e lidh Prishtinën me Mitrovicën.
Punimet për segmentin nga Lumi i Madh deri në Gojbulë ishin ndërprerë vitin e kaluar, ndërkaq, sipas kontratës, duhet të përfundojë brenda një viti kalendarik.
Kontrata e deritanishme për ndërtimin e këtij segmenti u shkëput një vit më parë për, siç tha zëvendësministri i Infrastrukturës, shkak se auditori kishte gjetur “parregullsi”.
Për këtë tender kishin aplikuar 6 konsorciume. Sipas ministrit Aliu, puna iu besua njërit prej tyre, pjesë e të cilit është kompania Ekskavatori, meqë kishte ofertën me çmimet më të ulëta.
Zgjerimi i rrugës në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë ka nisur tash e më shumë se 14 vjet, ndërkaq nga 38 kilometra sa është gjatësia e kësaj rruge, gjatë gjithë kësaj periudhe kanë përfunduar mbi 20 kilometrat e para nga kryeqyteti.
ATV-ja raportoi ekskluzivisht të mërkurën mbrëma, se kontrata për përfundimin e kësaj rruge do të nënshkruhej më 8 shkurt.





