“Nënshkrimi” kryefjalë e kryeministrit, nuk e mendon avancimin e njëanshëm

Përgatiti: Fatlum Jashari

Kryeministri Albin Kurti njoftoi se nuk ka marrë ftesë nga Bashkimi Evropian për takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Ai tha se është “përgjithësisht pozitiv” në raport me një ftesë eventuale nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, teksa theksin e vuri te mungesa e nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.

“Nëse na thërrasin për nënshkrim të marrëveshjes padyshim që shkoj… Në momentin që Serbia do ta nënshkruante marrëveshjen, të gjitha ato shkelje të mëhershme anulohen dhe krijohet siguria ligjore për rrugën përpara. Pra, edhe në kuptimin e së kaluarës së hidhur edhe në kuptimin e së ardhmes së ndritshme nënshkrimi na shfaqet si domosdoshmëri dhe unë uroj që kjo të bëhet këtë pranverë, pasi nuk u bë në atë të kaluarën”, tha Kurti.

Vetë BE-ja konfirmoi se nuk ka ftesë për takim të nivelit të lartë në këtë fazë.

Për kryeministrin zbatimi i njëanshëm i zotimeve të dialogut nuk është opsion.

“Përderisa edhe partnerët tanë evropianë dhe amerikanë thonë se normalizimi duhet të jetë me Serbinë, unë nuk besoj që mund të ketë normalizim të njëanshëm. Dhe, insistoj që normalizimi të jetë normal. Pra, nuk mund të kemi një normalizim i cili është në kundërshtim me të drejtën e Republikës së Kosovës për të ekzistuar, për t’u mbrojtur, për të qenë e lirë. Por, duhet të jetë edhe sipas standardeve dhe normave evropiane”, tha Kurti.

Kryeministri Albin Kurti u përgjigj edhe për demantin publik nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, për çështjen e dinarit.

“Unë nuk e kam thënë qëndrimin e asnjë shteti tjetër, por si kryeministër i Republikës së Kosovës kam folur që raportet, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë i mirë. Jemi partnerë, aleatë, miq. Kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdoherë, në çdo vend, për gjithçka”, tha Kurti.

Referuar deklaratës së homologut Edi Rama se “çdo sulm mbi Kosovën është sulm mbi Shqipërinë”, kryeministri Kurti tha se këtë vit ka plane për shtim të bashkëpunimit me Shqipërinë, në çdo aspekt.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA