Nëna e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Hyra Thaçi, nuk është në dijeni se sot pritet të merret vendimi nga Gjykata Speciale në Hagë për djalin e saj.
Këtë e ka bërë të ditur kushëriri i Thaçit, Halimi, i cili ka treguar se familja ka vendosur të mos ia tregojë lajmin në rast se vendimi do të jetë i pafavorshëm, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.
“Ka shumë gjëra që nuk i ka të ditura. Nëse na gëzon Zoti, do t’ia lajmërojmë dhe do të vijmë të gëzohemi bashkë me të. E nëse dënohet, nuk mundemi me i tregu kurrë”, ka deklaruar ai.
Kushëriri i Thaçit ka thënë se familja dhe të afërmit e tij kanë ndjerë shumë mungesën e tij gjatë viteve të qëndrimit në Hagë.
Ai ka shprehur shpresën se Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së do të lirohen dhe do të kthehen në shtëpi.
“Po presim që sa më parë të lirohet. Shumë mungesë kemi pasur për Hashimin, si familje, si shoqëri dhe si krejt Kosova”, është shprehur ai.





