NBA:Philadelphia dhe Oklahoma triumfojnë, Maxey dhe Williams shkëlqejnë

Sezoni i ri në NBA po dhuron spektakël që në javët e para, teksa Philadelphia 76ers dhe Oklahoma City Thunder kanë regjistruar fitore të rëndësishme, duke konfirmuar formën e mirë në startin e kampionatit.
Philadelphia vazhdon me ritëm pozitiv, duke siguruar fitoren e dytë radhazi pas triumfit në transfertë ndaj Cleveland Cavaliers me rezultatin 114-106. Edhe pse Donovan Mitchell zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, me 32 pikë dhe 10 rebound, Cleveland nuk arriti ta ruante epërsinë.
Reklamë
Philadelphia bëri një përmbysje të jashtëzakonshme, duke rikuperuar një disavantazh prej 29 pikësh në mesin e periodës së tretë. Kontributi i të gjithë titullarëve ishte vendimtar, ndërsa Tyrese Maxey u shndërrua në protagonistin kryesor me 32 pikë, duke udhëhequr skuadrën drejt një tjetër suksesi.
Fitore të rëndësishme regjistroi edhe Oklahoma City Thunder, që mposhti Denver Nuggets me rezultatin 96-84. Me këtë triumf, Oklahoma regjistron fitoren e dytë radhazi, pas suksesit ndaj San Antonios, dhe ngjitet në krye të renditjes së Konferencës së Perëndimit.
Jalen Williams ishte lojtari më i spikatur për skuadrën fituese, duke kontribuar me 21 pikë në një ndeshje ku Oklahoma kontrolloi lojën dhe siguroi një tjetër rezultat pozitiv.









