KB Prishtina nën sanksione nga BAT, ja masat ndaj kryeqytetasve

KB Prishtina vazhdon të përballet me kufizime të lidhura me vendimet e Tribunalit të Arbitrazhit të Basketbollit (BAT), të cilat mund të ndikojnë në përforcimet e ardhshme të skuadrës.
Çështja lidhet me detyrimet ndaj një pale që ka fituar rastin në BAT. Për shkak të kufizimeve në regjistrimin e lojtarëve, Prishtina nuk arriti t’i regjistronte me kohë basketbollistët e rinj dhe, si pasojë, humbi me rezultat zyrtar përballjen ndaj Pejës.
Reklamë
Ndalesa u hoq në fund të shtatorit, duke u mundësuar kryeqytetasve të regjistronin lojtarët e rinj dhe të nisnin paraqitjet në kampionat nga xhiroja e dytë.
Aktualisht, Prishtina ka në dispozicion fondin e lojtarëve, por çdo ndryshim i ri në përbërje mbetet i kushtëzuar nga arritja e një marrëveshjeje me palën që ka fituar çështjen në BAT.
Përveç kësaj, klubit i është shqiptuar edhe masa e zhvillimit të tri ndeshjeve pa praninë e tifozëve. Ndërkohë, anëtari i bordit, Gentian Rexhepi, është dënuar me dy vjet mospjesëmarrje.
Në aspektin sportiv, Prishtinën e pret derbi lokal ndaj Borës, të cilin do ta zhvillojë si mysafire në Mitrovicë. Ndeshja nuk do të luhet në “Pallatin e Rinisë”, pasi kjo hapësirë do të shfrytëzohet për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare të hendbollit.
Kështu, përveç sfidave në parket, KB Prishtina duhet të menaxhojë edhe situatën jashtë fushës, me synimin për të ruajtur stabilitetin e skuadrës dhe për të vazhduar garat në kampionat.









