Mbrëmje spektakolare në playoff-et e NBA-së, ku New York Knicks dhe Minnesota Timberwolves dhuruan emocione dhe rezultate të rëndësishme në garën drejt finales.
Në Konferencën e Lindjes, Knicks konfirmuan formën e jashtëzakonshme duke mposhtur Philadelphia 76ers me rezultatin 144-114, dhe duke mbyllur serinë 4-0. Skuadra nga Nju Jorku dominoi që në minutat e para, me një breshëri treshesh që vulosi fatin e sfidës që në çerekun e parë. 144 pikët e realizuara përbëjnë rekord të ri të klubit në playoff, ndërsa 25 treshet e shënuara barazojnë rekordin historik të NBA-së në postseason.
Njeriu i ndeshjes ishte Miles McBride, autor i 25 pikëve dhe 7 treshave, në paraqitjen më të mirë të karrierës së tij në playoff. Mbështetje të rëndësishme dhanë edhe Jalen Brunson me 22 pikë, si dhe Josh Hart dhe Karl-Anthony Towns me nga 17 pikë secili. Për Philadelphia-n nuk mjaftuan 24 pikët e Joel Embiid dhe 17 të Tyrese Maxey.
Në Konferencën e Perëndimit, Minnesota Timberwolves rikthyen ekuilibrin në seri pas fitores 114-109 ndaj San Antonio Spurs. Ndeshja u karakterizua nga tension i lartë, sidomos pas episodit të fillimit të periodës së dytë, kur Victor Wembanyama u përjashtua me faull flagrant pas goditjes me bërryl ndaj Naz Reid.
Pavarësisht mungesës së yllit francez, Spurs luftuan deri në fund falë paraqitjeve të De’Aaron Fox dhe Dylan Harper. Megjithatë, në momentet vendimtare shkëlqeu Anthony Edwards, i cili realizoi 36 pikë, 16 prej tyre vetëm në periodën e fundit, duke udhëhequr Timberwolves drejt fitores dhe duke hyrë në historinë e NBA-së si lojtari i gjashtë që kalon 300 pikë në çerekët e katërt të playoff-it para moshës 25-vjeçare.





