Musmurati akuzon Hekuran Muratin për bllokimin e projektit 20-milionësh për pastrimin e Prishtinës

Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besianë Musmurati, ka prezantuar dokumentacionin dhe kronologjinë e projektit për menaxhimin e mbeturinave, i cili mbështetet nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), duke kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, të nënshkruajë marrëveshjen që do t’i hapte rrugë realizimit të investimeve.
Sipas Musmuratit, mosnënshkrimi i marrëveshjes po e pengon realizimin e një projekti që parasheh blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve, si dhe investime të tjera për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë dhe komunat përreth.
Reklamë
Në konferencën për media, ajo ka theksuar se gjendja me mbeturinat në kryeqytet është e rënduar, ndërsa Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka vetëm 12 kamionë funksionalë.
“Ekziston vendimi i Qeverisë. Ekziston dokumentacioni i projektit. Pyetja për Hekuran Muratin është e thjeshtë: pse nuk po e nënshkruani? Pse po e bllokoni blerjen e 100 kamionëve e kontejnerëve për Prishtinën?”, deklaroi Musmurati.
Duke prezantuar dokumentet, nënkryetarja bëri të ditur se procesi për këtë projekt ka nisur në maj të vitit 2023, ndërsa në tetor të po atij viti është arritur marrëveshja fillestare ndërmjet palëve.
Faza e parë e projektit parasheh 4.1 milionë euro grant nga Qeveria gjermane dhe 20 milionë euro kredi të butë. Sipas Musmuratit, kredia ka afat kthimi prej 38 vjetësh, përfshirë gjashtë vjet periudhë mospagimi të principalit dhe normë interesi prej 0.75 për qind.
Nga investimet e parapara në këtë fazë, rreth 10.3 milionë euro janë planifikuar për blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj, 5.1 milionë euro për 10 mijë kontejnerë për ndarjen e mbeturinave në burim dhe një milion euro për platformat e kontejnerëve.
Projekti përfshin gjithashtu konsulencën dhe përgatitjen e investimeve të nevojshme për modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave.
Ndërkaq, faza e dytë parasheh edhe 50 milionë euro kredi për blerjen e kamionëve dhe kontejnerëve shtesë, si dhe ndërtimin e qendrave për kompostim dhe riciklim të mbeturinave.
Musmurati ka treguar se pas negociatave ndërqeveritare të prillit 2024, në shtator të po atij viti, Qeveria gjermane kishte miratuar projektin dhe KfW-ja kishte përcjellë draft-marrëveshjet për grantin dhe kredinë.
Më 18 dhjetor 2024, Qeveria e Kosovës kishte miratuar në parim nismën për marrëveshjen e kredisë, duke obliguar Ministrinë e Financave që të ndërmerrte hapat e nevojshëm për vazhdimin e procedurave.
Megjithatë, sipas Musmuratit, marrëveshja ka mbetur e panënshkruar edhe gjatë vitit 2026.
Ajo ka bërë të ditur se më 15 maj 2026, Komuna e Prishtinës, KRM “Pastrimi” dhe KfW-ja i kishin dërguar një shkresë të përbashkët ministrit Hekuran Murati, me kërkesën që projekti të trajtohej me prioritet dhe të përshpejtohej finalizimi i marrëveshjes.
“Kjo nuk është vetëm kërkesë e Komunës. Është një shkresë e përbashkët, e nënshkruar nga të tri palët. Dokumenti është dorëzuar dhe është protokolluar në Ministrinë e Financave. Asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje”, theksoi Musmurati.
Ajo shtoi se për këtë çështje janë zhvilluar edhe takime të tjera gjatë qershorit, përfshirë takimin e përfaqësuesve të KfW-së me ministrin Murati më 25 qershor 2026.
Sipas saj, edhe gjatë një takimi të javës së kaluar me përfaqësues të bankës gjermane është konfirmuar se marrëveshja e kredisë ende nuk është nënshkruar.
Nënkryetarja e Kryeqytetit e ka cilësuar këtë situatë si bllokim politik, duke thënë se pasojat po i bartin qytetarët, të cilët po përballen me probleme në grumbullimin e mbeturinave.
Ajo ka theksuar se realizimi i projektit do të bëhej në bashkëpunim me KfW-në dhe ndërmarrjen “Pastrimi”.
“Çfarë faji kanë qytetarët e Prishtinës që po i ndëshkoni me mosnënshkrim të marrëveshjes që ua mundëson heqjen e mbeturinave nga pragu i derës?”, u shpreh Musmurati.
Në fund, ajo i ka bërë thirrje ministrit Hekuran Murati që të japë një sqarim publik për arsyet e mosnënshkrimit të marrëveshjes dhe të mundësojë vazhdimin e procedurave për realizimin e projektit.
Deri në publikimin e këtij lajmi, në materialin e prezantuar nga Musmurati nuk është përfshirë qëndrimi i ministrit Hekuran Murati lidhur me akuzat dhe arsyet e mosnënshkrimit të marrëveshjes. /Telegrafi/
Reklamë









