Në prag të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në ndërtesën e Kuvendit ka arritur ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili ka komentuar situatën politike dhe ka shprehur pritshmëritë e tij për tejkalimin e bllokadës institucionale.
Murati tha para mediave se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë lëvizjet e veta drejt zhbllokimit të procesit, përfshirë ftesat për takim ndaj krerëve të partive opozitare.
“Ne kemi bërë propozimin ton, kemi kryer obligimin kushtetues, është rradha që të votohet nga të gjithë deputetët, sepse është obligim i të gjithëve konstituimi i Kuvendit,” deklaroi ai.
Duke iu referuar ftesës së kryeministrit Kurti drejtuar PDK-së dhe LDK-së, Murati theksoi se qëllimi është ndërtimi i konsensusit për të ecur përpara.
“Kemi bërë edhe hapa tutje, lëvizje, keni parë besoj me ftesën e kryeministrit Kurti drejtuar dy subjekteve të tjera, sepse siç e dini që tri partive më të mëdha u takon edhe pozita e nënkryetarit, në mënyrë që të kemi konsensus të lëvizim tutje, që mos të kemi bllokadë pas bllokade,” u shpreh ai.
Murati përmendi edhe përgjigjen pozitive të PDK-së, duke shpresuar se kjo do të ndikojë që procesi të ecë përpara.
“Uroj që pas përgjigjes pozitive të njërit nga udhëheqësit e partive opozitare, në këtë rast të PDK-së, të ketë pasur reflektim që të lëvizet përpara dhe të themelohet institucionet,” përfundoi ministri në detyrë.