Jose Mourinho ka nisur zyrtarisht aventurën e tij në stolin e Real Madridit, ndërsa në paraqitjen e parë para mediave si trajner i skuadrës madrilene, portugezi ka dërguar një mesazh të qartë: prioriteti i tij është zhvillimi i lojtarëve dhe forcimi i ekipit.
Tekniku i njohur theksoi se kjo është periudha e duhur për të njohur grupin dhe për të analizuar në detaje situatën brenda klubit, duke shmangur komentet e nxituara.
“Ky nuk është momenti për të folur shumë. Është koha për të vëzhguar, analizuar, komunikuar dhe për të ndërtuar një dialog të sinqertë me të gjithë. Qëllimi im është të ndihmoj lojtarët të përmirësohen, ekipin të rritet dhe klubin të ecë përpara”, deklaroi Mourinho.
Trajneri portugez nënvizoi se nuk ka ardhur në “Santiago Bernabeu” për të gjykuar apo kritikuar punën e askujt, por për të dëgjuar dhe për të kontribuar në suksesin e përbashkët.
“Jam këtu për të ndihmuar të gjithë. Nuk kam ardhur për të kritikuar apo për të bërë krahasime. Dua të dëgjoj, të kuptoj dhe të jap maksimumin tim për këtë klub”, shtoi ai.
Një pjesë e veçantë e konferencës iu kushtua edhe yllit francez, Kylian Mbappe. Mourinho nuk i kurseu elozhet për sulmuesin, duke e cilësuar si një nga futbollistët më të mirë në botë, por njëkohësisht duke theksuar se ai ka ende hapësirë për t’u përmirësuar.
“Mbappe është një lojtar fenomenal. Ai ka cilësi të jashtëzakonshme dhe unë do të bëj gjithçka që kam në dorë për ta ndihmuar të arrijë një nivel edhe më të lartë”, u shpreh Mourinho.
Ndërkohë, Mbappe dhe pjesa më e madhe e yjeve të Real Madridit janë aktualisht të përqendruar te angazhimet me kombëtaret e tyre në Kupën e Botës 2026, duke synuar suksesin maksimal në turneun më të madh të futbollit





