Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë të martën se “nuk është ekzagjerim që samiti i NATO (i sotshëm në Hagë) të quhet historik”, duke marrë parasysh rëndësinë e rritjes së shpenzimeve në fushën e mbrojtjes mes vendeve anëtare.
Sipas tij, aleatët “nuk janë duke e bërë këtë, siç kanë pretenduar disa, që t’i nderojnë Shtetet e Bashkuara dhe presidentin e tyre”, por më shumë nga rreziku i mirëfilltë me të cilin ballafaqohen, kryesisht nga Rusia.
Merzi gjithashtu ka nënvizuar planin e Gjermanisë për të rritur shpenzimet e mbrojtjes me qëllimin për ta kthyer Bundeswehr (forcat ushtarake gjermane) në “ushtrinë më të fortë konvencionale në Evropë, e cila është e gatshme për të mbrojtur shtetin dhe t’u dalë në ndihmë aleatëve.
“Për një kohë shumë të gjatë ne në Gjermani kemi injoruar paralajmërimet e fqinjëve tanë baltikë për Rusinë. E kemi kuptuar gabimin. Nuk ka kthim prapa nga kjo”, ka thënë ai.
Lidhur me çështjen e dislokimit të trupave gjermane në Lituani, Merzi ka shtuar se “siguria e Lituanisë është gjithashtu siguria e Gjermanisë”.
Muajin e kaluar, kancelari gjerman e kishte vizituar Lituaninë, për të shënuar dërgimin e parë të trupave gjermane në një vend të huaj që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Njësiti i ri ushtarak, përbëhet nga 4,800 trupa gjermane dhe 200 anëtarë të stafit civil. Qëllimi i themelimit të tij, është parandalimi i çdo agresioni të mundshëm të Rusisë ndaj vendeve baltike.