Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Meriton Korenica, po vazhdon të shkëlqejë në kampionatin rumun, ku këtë javë është përfshirë në formacionin ideal të javës në Liga 1.
25-vjeçari pati paraqitje fantastike në ndeshjen e fundit të CFR Cluj, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur në fitoren e skuadrës së tij. Ai realizoi një gol të bukur dhe kontribuoi me një asist, duke qenë vendimtar në suksesin e klubit rumun.
Performanca e tij u shpërblye duke u futur në 11-shen më të mirë të javës nga faqja prestigjioze statistikore “Sofascore”, ku gjithashtu u vlerësua me notë shumë të lartë – 9.4, një ndër më të mirat në kampionat për këtë xhiro.
Korenica iu bashkua Clujit verën e kaluar nga Ballkani dhe ka arritur të fitojë menjëherë zemrat e tifozëve rumunë falë stilit të tij energjik dhe lojës kreative në mesfushë. Ai po ashtu është bërë pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës, me selektorin Franco Foda që vazhdimisht i beson atij.
CFR Cluj aktualisht ndodhet në krye të renditjes në kampionatin rumun dhe synon titullin kampion, ndërsa Korenica po luan një rol kyç në këtë mision. Forma e tij e lartë padyshim se është lajm i mirë edhe për “Dardanët”, të cilët në shtator i presin dy sfidat e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.