Driton Kuka ngre alarmin për sportin kosovar: Aspak nuk kemi ecur përpara

Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen dhe zhvillimin e sportit në Kosovë, duke vënë në pikëpyetje progresin e arritur ndër vite dhe perspektivën e vendit drejt Lojërave Olimpike “Los Angeles 2028”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kuka ka kritikuar mungesën e një strategjie të mirëfilltë për zhvillimin e sportit, duke theksuar se, sipas tij, Kosova nuk ka shënuar përparimin e duhur që nga pjesëmarrja e parë në Lojërat Olimpike.
Reklamë
Ai ka shprehur bindjen se në Olimpiadën e vitit 2028 numri i sportistëve të zhvilluar në vend që do të arrijnë të kualifikohen do të jetë mjaft i vogël, duke përmendur tre apo katër garues nga xhudoja dhe një nga boksi.
Kuka ka theksuar gjithashtu se natyralizimi i sportistëve nuk mund të konsiderohet sukses i punës së federatave apo institucioneve sportive, pasi prioritet duhet të jetë krijimi dhe zhvillimi i sportistëve vendorë.
Një tjetër çështje që e shqetëson trajnerin e njohur është rreziku që talentët e rinj, të cilët kanë treguar rezultate premtuese në grupmoshat e tyre, të mos arrijnë nivelin elitar. Ai ka përmendur edhe atletin Ramadani si një prej talenteve që duhet të marrë vëmendjen dhe mbështetjen e duhur.
Në reagimin e tij, Kuka ka kritikuar edhe fokusin e institucioneve sportive në organizimin e garave, duke vlerësuar se prioritet duhet të jenë rezultatet dhe përgatitja e sportistëve për arenën ndërkombëtare.
Në fund, ai ka bërë thirrje për krijimin e një ekipi njerëzish me integritet dhe profesionalizëm, të cilët do të hartonin një strategji konkrete për të ardhmen e sportit kosovar.
Sipas Kukës, është e domosdoshme që Kosova të nisë sa më shpejt punën për ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm sportiv, në mënyrë që në Los Angeles 2028 të mos mbështetet vetëm te sukseset e deritanishme, por të prezantohet me një gjeneratë të re sportistësh të përgatitur në vend.
Reklamë










