Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, tha se është e shqetësuar për veprimet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e strukturave paralele nga Serbia në mbarë Kosovën.
Sipas UNMIK-ut, këto veprime rrezikojnë besimin e komuniteteve ndaj autoriteteve të Kosovës.
“Zadieh shprehu shqetësimin për veprimet kundër institucioneve të financuara nga Serbia në mbarë Kosovën dje, të cilat rezultuan në mbylljen e disa institucioneve, duke përfshirë zyrat postare, ndërtesat e institucioneve dhe qendrat e mirëqenies sociale. PSSP-ja është e shqetësuar për ndikimin e këtyre mbylljeve në jetën e përditshme të individëve, veçanërisht atyre nga komunitetet joshumicë, të cilët varen drejtpërdrejt nga këto institucione. Veprime të tilla të njëanshme rrezikojnë besimin e mëtjeshëm ndërmjet komuniteteve dhe autoriteteve të Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre të enjten.
Shefja e UNMIK-ut përsëriti që çështje të tilla të zgjidhen në mënyrë konstruktive.
“Ziadeh përsërit thirrjet e saj që çështjet e pazgjidhura të diskutohen në mënyrë konstruktive, në komunikim të hapur dhe në mirëbesim brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ajo u bën thirrje të gjithëve që të punojnë drejt zgjidhjeve të negociuara dhe të qëndrueshme për mirëqenien dhe sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë, si e vetmja rrugë e pranueshme përpara”, thuhet në reagim.