Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se në Kosovë do të zhvillohet Gara Ndërkombëtare e Çiklizmit në datat 5, 6 dhe 7 qershor 2026, e cila do të përfshijë disa akse rrugore në mbarë vendin, përfshirë autostradat “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë zhvillimit të kësaj gare do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullim, ku në segmente të caktuara do të mbyllet njëra korsi, në përputhje me itineraret e përcaktuara për secilën ditë të aktivitetit.
Më 5 qershor, duke filluar nga ora 13:00, një korsi e autostradës “Arbën Xhaferi” do të jetë e mbyllur përkohësisht. Gara do të nisë nga sheshi “Metush Krasniqi” në Kamenicë dhe do të përfundojë në kilometrin 28 në drejtim të Prishtinës.
Më 6 qershor, kufizime të përkohshme të trafikut do të aplikohen në disa segmente rrugore, përfshirë rrugën Ferizaj (Bibaj) – Lipjan – Hani i Elezit. Këto ndërprerje do të jenë të shpërndara gjatë ditës, nga ora 09:00 deri në 16:00.
Ndërsa më 7 qershor, gara do të shtrihet në një itinerar më të gjerë që përfshin disa qytete, përfshirë Ferizajn, Podujevën, Lipjanin, Fushë Kosovën, Llapushnikun dhe Duhlin, ku gjithashtu do të ketë mbyllje të pjesshme të një korsie në orare të ndryshme.
Për organizimin dhe sigurinë gjatë ngjarjes, Federata e Çiklizmit e Kosovës do të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse.
Ministria ka apeluar tek qytetarët për mirëkuptim, si dhe për respektim të udhëzimeve të Policisë, stafit organizativ dhe sinjalizimit rrugor përgjatë gjithë itinerarit të garës.





