Përgatiti: Haris Ademi
Filiali i Thesarit të Serbisë në Leposaviq, punoi edhe të enjten. Mirëpo, në kasafortën e këtij institucioni paralel nuk janë 117 milionë dinarët, që u kthyen në kufirin në Jarinjë, një ditë më parë.
Me hyrjen në fuqi të rregullores së BQK-së, që e delegjitimon monedhën serbe, as nuk do të lejohet importi i keshit nga Banka Popullore e Beogradit.
Për më tepër, ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë se institucionet në Prishtinë duhet të urdhërojnë mbylljen e këtij filiali në komunën më veriore të Kosovës, i cili mund të ketë shërbyer edhe për veprimtari të errëta.
Si zgjidhje e mundshme në këtë situatë, të mërkurën, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, e përmendi Zonën e Pagesave Vetëm me Euro, e njohur si SEPA, që aplikohet në Bashkimin Evropian.
Ekonomisti Erton Bega thotë se Bankat Qendrore të Kosovës e Serbisë do të përfitonin nga principet e këtij sistemi të pagesave.
Në këtë skenar, sipas Begajt, nuk do të kishte më nevojë për import të dinarëve, siç ka ndodhur deri tash.
Banka Qendrore dhe Qeveria nuk janë përgjigjur nëse kanë në plan të veprojnë në Thesarin serb brenda Republikës, siç nuk është bërë e ditur nëse ka ndodhur ende komunikimi me Bankën Nacionale Serbe, lidhur me rregulloren që është në ditën e shtatë fuqiplotë.





