Rey Manaj po kalon një periudhë të shkëlqyer me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë dhe këtë e konfirmoi edhe në përballjen ndaj San Marinos.
Sulmuesi kuqezi gjeti sërish rrugën e rrjetës, duke shënuar në minutën e 65-të golin e tretë të Shqipërisë në këtë takim.
Ky ishte realizimi i 11-të i Manajt me fanellën kuqezi, duke e ngjitur atë edhe më lart në listën e golashënuesve historikë të Kombëtares.
Me këtë gol, 27-vjeçari barazoi Sokol Kushtën dhe Hamdi Salihin me nga 11 gola të shënuar për Shqipërinë, ndërsa tashmë ka përpara një tjetër objektiv të rëndësishëm.
Në horizont është rekordi i Erjon Bogdanit, i cili ka realizuar 18 gola me Kombëtaren. Manajt i nevojiten edhe shtatë gola për të barazuar legjendën kuqezi dhe për t’iu afruar majës së listës së golashënuesve të Shqipërisë.
Megjithatë, pavarësisht progresit personal, Manaj pas ndeshjes u tregua i përmbajtur dhe theksoi se objektivat individualë nuk janë prioriteti i tij.
“Të them të drejtën, për objektiva personale nuk më pëlqen të flas. Rëndësi ka të fitojmë në Nations League dhe të kualifikohemi sërish në Evropian. Ishalla i kap sa më shpejt, por fokusi im i vetëm mbetet Evropiani në këtë moment”, deklaroi Manaj.
Forma e mirë e sulmuesit përbën një lajm pozitiv për Shqipërinë, e cila synon të vazhdojë me rezultate të mira dhe të sigurojë një tjetër paraqitje në skenën e madhe të futbollit evropian.
Manaj, ndërkohë, tashmë e ka të qartë sfidën e radhës: shtatë gola e ndajnë nga rekordi i Bogdanit.





